BRUKSEL – Rutte: Trump do ta bëjë më të fuqishme aleancën perëndimore

BRUKSEL, 20 janar /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte pret që kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do ta bëjë më të fuqishme aleancën perëndimore.
“Me presidentin Trump të rikthyer në detyrë, ne do të rrisim shpenzimet dhe prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes”, postoi Rutte në X.
Rutte i shprehu Trump urime të përzemërta për kthimin ne detyre si presidenti i 47-të i SHBA-së dhe JD Vance si zëvendëspresident.
“Së bashku, ne mund të arrijmë paqen përmes fuqisë – përmes NATO-s”, tha Rutte.
Trump u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s të shpenzojnë 5% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtje, nga objektivi i caktuar prej 2% i NATO-s.
Objektivi i ri do të nënkuptonte një dyfishim të shpenzimeve ose më shumë për shumicën e anëtarëve.
Donald Trump është betuar sot si president i SHBA-së në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington.
Trump bëri betimin në një ceremoni madhështore ku morën pjesë familja e tij, ish-presidentë amerikanë dhe personalitete nga SHBA-ja dhe jashtë saj.
“Epoka e Artë e Amerikës fillon pikërisht tani”, tha ai në fjalimin e tij inaugurues. //a.i/