BRUKSEL – Stoltenberg: Hungaria nuk do të marrë pjesë në asnjë mision të NATO-s për Ukrainën

BRUKSEL, 12 qershor /ATSH-DPA/ – Hungaria nuk do të marrë pjesë në asnjë mision të NATO-s në mbështetje të Ukrainës, njoftoi të mërkurën kreu i aleancës së mbrojtjes duke zbutur frikën e një vetoje nga Budapesti.
“Asnjë personel hungarez nuk do të marrë pjesë në këto aktivitete dhe asnjë fond hungarez nuk do të përdoret për t’i mbështetur ato”, tha Stoltenberg në Budapest në një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
NATO dëshiron të ngrejë një mision për të koordinuar dërgesat e ndihmës ushtarake për Ukrainën, si dhe trajnimin për forcat e armatosura të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.
Aleanca gjithashtu dëshiron të krijojë një fond afatgjatë për të mbështetur aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.
Ekzistonte frika se qeveria e Orbanit do ta bllokonte planin pasi Hungaria ka mbrojtur një armëpushim dhe dëshiron që Ukraina të ndjekë negociatat e paqes me Rusinë.
Megjithatë, “kryeministri më ka siguruar se Hungaria nuk do t’i kundërshtojë këto përpjekje, duke u mundësuar aleatëve të tjerë të ecin përpara”, tha Stoltenberg, duke iu referuar Orbanit./ /os/