BRUKSEL – Von der Leyen do të paraqesë vizionin për sfidat e BE-së në fjalimin vjetor

BRUKSEL, 9 shtator /ATSH/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të mbajë nesër në Parlamentin Evropian në Strasburg një fjalim të gjatë mbi gjendjen e BE-së, ku do të paraqesë vizionin e saj për përballimin e sfidave që ka sot blloku më i madh tregtar në botë, sipas AP.
Komisioni e ka cilësuar këtë fjalim si “një moment historik për demokracinë evropiane”, duke e modeluar sipas fjalimeve të përvitshme të presidentëve amerikanë në Kongres.
Pritet që fjalimi të zgjasë rreth tre orë dhe të përfshijë objektiva të reja për shpenzime dhe politika për vitet e ardhshme, megjithëse detajet janë mbajtur të fshehta.
Sipas Fabian Zuleeg, drejtor i Qendrës së Politikave Evropiane, ky do të jetë një fjalim me shumë rëndësi.
“Shumë gjëra kanë ndodhur vitin e fundit, më tepër negative sesa pozitive. Njerëzit duan të shohin jo vetëm politikat, por edhe tonin, ndjesinë, drejtimin se ku do të shkojë Evropa”, tha ai.
Komisioni Evropian, që udhëhiqet nga von der Leyen, ka rol kyç
Komisoni propozon ligje për 450 milionë qytetarë në 27 shtete dhe mbikëqyr zbatimin e tyre. Gjatë mandatit të saj, Komisioni ka shtyrë përpara negociatat tregtare me SHBA-në për të zbutur pasojat e luftës së tarifave të nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, ka mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë dhe ka nxitur fuqizimin e mbrojtjes evropiane.
Megjithatë, von der Leyen pritet të përballet edhe me kritika. Vetëm dy muaj më parë ajo i mbijetoi një mocioni mosbesimi në Parlament, i cili kishte ngritur akuza për komunikimet e saj private me shefin e “Pfizer” gjatë pandemisë, përdorimin e fondeve të BE-së dhe ndërhyrje zgjedhore. Ajo fitoi lehtësisht, por nuk mori pjesë vetë në votim. /Ad.Ab./