BSH: 90% e të punësuarve disponojnë njohuri për produktet financiare

TIRANË, 30 janar /ATSH/ 90% e individëve të punësuar dhe të vetëpunësuar disponojnë njohuritë përkatëse për produktet financiare.
Kështu vëren Banka e Shqipërisë në “Vrojtimin mbi Kulturën Financiare të të Rriturve në Shqipëri”, të publikuar së fundi që prezanton karakteristikat kryesore të sjelljes financiare të individëve në vendin tonë.
Kjo analizë është realizuar me një grup prej 1,000 individësh të moshës nga 18-79 vjeç, me një shpërndarje proporcionale në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave rezulton se ashtu si edhe në vendet e tjera, rreth 65% e individëve në Shqipëri mbajnë shënim llogaritë në afatin e shkurtër, krahasojnë produktet financiare midis ofruesve si dhe rreth 78% e tyre paguajnë faturat në kohë.
Kultura financiare është e domosdoshme për të marrë vendime të zgjuara mbi financat tona, duke na ndihmuar të menaxhojmë buxhetin, të investojmë dhe të planifikojmë të ardhmen.
Të dhënat janë marrë nga një vrojtim i realizuar nga Banka e Shqipërisë dhe OECD, që përfshin 39 shtete. Shqipëria ka një nivel të ngjashëm me mesataren globale, që është 60 nga 100.
Indeksi i kulturës financiare në 2023 ka pësuar rritje me 6 pikë, krahasuar me atë të raundit paraardhës, të vitit 2019, sipas BSH-së.
Përmirësimi i edukatës financiare ka qenë një prioritet i vazhdueshëm Bankës së Shqipërisë, dhe në 2024 ajo miratoi një strategji të re për periudhën 2024-2026, që synon t’u mundësojë qytetarëve të fitojnë njohuri dhe aftësi për të marrë vendime financiare të informuara dhe të qëndrueshme, si dhe rritje të përfshirjes financiare.
BSH thekson se, për një të ardhme financiare më të sigurt, edukimi financiar është çelësi. /j.p/
