E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Marrëveshja me BERZH për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, Balla: Mundëson 12 godina të reja stacionesh


TIRANË, 30 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla prezantoi sot në seancën plenare në Kuvend  projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”.

Balla u shpreh se, “qeverisja nuk mund të ndërpritet për asnjë moment”.

“Edhe në fushatë zgjedhore edhe pse fushata zgjedhore me Kodin Zgjedhor është 30 ditë, ne nuk kemi kohë për të humbur na duhet të çojmë përpara një sërë projektesh, të cilët po konkretizojnë çdo ditë vizionin tonë Shqipëria 2030”, tha Balla.

Sa i përket pretendimit të opozitës  lidhur me “Paketën e Maleve”, Balla tha se, “besoj se kundërshtia juaj është minimalisht një gafë. Nëse nuk e keni marrë vesh akoma ne jemi këtu për të qeverisur për shumicën. Jemi këtu për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë e këtij vendi për t’i bërë ato burime të ardhurash për qytetarët tanë”.

Balla tha se, ““Paketa e Maleve” është mirëpritur nga vëllezërit tanë në diasporë sepse shumë prej tyre janë gati që shtëpinë e gjyshit, që tokën e gjyshit, që tokën e babait, që pronën e familjes së tyre ta shfrytëzojnë në një mundësi për t’u rikthyer në Shqipëri e për të bërë përmes asaj prone një burim të ardhurash për familjen e vet”.

Duke folur për projektligjin për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Balla tha se, “janë të gjithë shqiptarët që nuk duan të shkojnë më në Durrës me furgona, as me autobus, duan të shkojnë me tren. E patëm lënë një projekt në 2005-ën erdhi njëri këtu e anuloi se nuk i pëlqen treni, se nuk e ka njohur ndonjëherë trenin. Tani treni do bëhet”.

“Treni do të jetë i standardeve më të mira evropiane dhe e mira e kësaj pune është që nuk do shkoni më me Benza në aeroportin e Rinasit, por do shkoni me tren në Rinas”, iu drejtua Balla- deputetëve të opozitës.

“Shpresoj që vitin e ardhshëm ne të kemi gati godinat falë këtij investimi dhe po ashtu edhe elektrifikimin e një pjese të linjës hekurudhore”, tha Balla.

Balla nënvizoi se, “bëhet fjalë që finalizimi i këtij projekti të përfundojë në 12 muaj nga momenti i miratimit të këtij pr/ligji”.

“Pra në shkurt 2026, e cila rakordon në fakt edhe me finalizimin e godinave të reja të stacioneve hekurudhore”, tha Balla.

Deri tani u shpreh Balla, “janë realizuar 80% e punimeve të kontratës aktuale, e cila konsiston në 34 kilometra linjë të rehabilituar plotësisht mes Tiranës dhe Durrësit dhe një linjë hekurudhore komplet e re me aeroportin e Rinasit prej 5 kilometrash”.

“Me shtesën që falë votës së Kuvendit miratohet do të mundësohet dhe ndërtimi i 12 godinave të reja të stacioneve hekurudhore sipas standardeve më të mira evropiane”, tha Balla.

“Komponenti i fundit në shtesën e kredisë është edhe mbulimi i kostove të mbikëqyrjes në vlerën 1.2 milionë euro”, tha Balla.

Bala theksoi se, “ky projekt i rëndësishëm historik për Shqipërinë do të kompletohet edhe me pjesën nga stacioni Tirana PTT pranë kthesës së Kamzës deri në Bulevardin e Ri të Tiranës”.

“Financimi shtesë prej 40.7 milionë euro do të përdoret për ndërtimin e godinave të reja të stacioneve hekurudhore përfshirë edhe rregullimin e shesheve të jashtme dhe mbulesave të platformave”, tha Balla ndër të tjera. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›