E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Besimi i konsumatorëve në ekonominë e vendit ka pësuar rënie

TIRANE – Shqiptarët ndihen pesimistë për ecurinë e ekonomisë gjatë këij viti. Banka e Shqipërisë ka konstatuar se gjatë tremujorit të parë të vitit 2012, treguesi i besimit të konsumatorëve u përkeqësua me 7%, pas përmirësimit të shënuar gjatë 2-3 mujorit të mëparshëm.

Banka evidenton se përkeqësimi i besimit konsumator u ndikua nga rënia e balancës për blerjet e mëdha dhe balancës së situatës së kursim-shpenzimeve.
Ndonëse pjesa më e madhe e konsumatorëve mbulojnë me të ardhura shpenzimet e tyre, numri i atyre që marrin hua për t’i mbuluar ato është rritur në krahasim me tremujorin e kaluar.

Sipas Bankës Qendrore, konsumatorët shprehen pesimistë mbi situatën e ardhshme ekonomike dhe financiare. Balancat e pritjeve për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend dhe pritjeve mbi situatën financiare të familjeve në tremujorin e ardhshëm shënuan gjithashtu rënie.

Në të njëjtat kushte ndodhet pak a shumë edhe biznesi. Nga vrojtimi i Bankës së Shqipërisë rezulton se treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 3.5% në tremujorin e parë të këtij viti. Bizneset e industrisë kanë vlerësuar në rënie të gjitha aspektet që lidhen ngushtë me aktivitetin e tyre, si kërkesën, gjendjen financiare dhe kërkesën për eksporte.

Ndërkaq në rënie paraqitet edhe treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit, ndërkohë që është përmirësuar besimi i subjekteve në sektorin e shërbimeve.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›