E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet pr/ligji për tokën bujqësore, hipotekë fermerëve që e punojnë tokën

TIRANË- Të gjitha familjet fermere që kanë shfrytëzuar për 20 vjet tokën bujqësore dhe nuk kanë pasur hipotekë, si dhe punonjësit e ish ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore do të pajisen me titujt e pronësisë.

Komisioni parlamentar i veprimtarive prodhuese ka miratuar projektligjin që sipas përfaqësuesve të ministrisë së Bujqësisë synon të zgjidhë problematikën e krijuar në dy dekadat e fundit me tokën bujqësore.

“Nisma për këtë ligj ka ardhur nga shqetësimet në radhë të parë të vetë familjeve bujqësore, problemi i të cilëve nuk është zgjidhur për 20 vjet. Së dyti, nga organet e pushtetit vendor që kanë qenë në kërkesat e vazhdueshme të këtyre komuniteteve, që megjithëse e përdorin tokën nuk kanë dokumentet e pronësisë”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë.

Projektligji parashikon zgjidhje edhe për problemet e ngritura nga banorët në zonën e Orikumit dhe Ksamilit, duke parashikuar kompensim me truall për ta, për tokën që paraqet interes për turizëm.

“Në rastin e Orikumit jemi në një rast tipik ku përdoruesit e tokës bujqësore ndodhen brenda zonës me përparësi zhvillimin e turizmit. Ligjërisht problemi konsiderohet i zgjidhur”, shtoi më tej ai.

Pr/ligji është miratuar vetëm nga deputetët e maxhorancës, pasi socialistët nuk kanë marrë pjesë në votim.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›