E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto ne Bruksel merr pjese ne Ministerialin e NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u nis sot për një vizitë dyditore në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Takimin e Përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s dhe atyre të Mbrojtjes, mbahet përpara Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Aleancës, që do të zhvillohet në Çikago, më 20-21 maj 2012.
Mbajtja e një takimi të tillë ka hyrë në praktikën e punës të Aleancës që prej Samitit të Lisbonës (19-20/11/2010), përpara të cilit u zhvillua një takim i kësaj natyre.
Takimi i Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, ka për qëllim përgatitjen e çështjeve kryesore si: Afganistani; Paketa e Mbrojtjes; Partneritetet që do të diskutohen gjatë Samitit të Çikagos, dhe në këtë kontekst pritet t’i shtjellojë më tej këto çështje me rëndësi.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pritet të takohen në Bruksel për të diskutuar mbi fondin që do i akordohet forcave të sigurisë afgane pasi trupat ndërkombëtare të tërhiqen nga ky vend. BBC ben me dije se NATO nuk do të ndryshojë strategji edhe pas sulmeve të koordinuara të së shtunës nga talebanët mbi ambasadat e huaja dhe Parlamentin e Afganistanit, por do të dorëzojë plotësisht kontrollin tek forcat afgane në fund të vitit 2014.
Shtetet e Bashkuara presin që partnerët ndërkombëtarë të sigurojnë nje pjese te kostos që do duhen për të mbështetur forcat afgane të sigurisë. Uashingtoni kërkon që vendet e tjera të paguajnë së bashku 1 miliardë dollarë në vit, pra 3 miliardë dollarë deri në vitin 2014.
Ky takim është një përgatitje për samitin e NATO-s që do të mbahet në Cikago muajin e ardhshëm ku do të vendoset përfundimisht se sa do të jetë fondi për forcat e sigurisë e Afganistanit. Një ditë me parë Australia lajmëroi tërheqjen e të gjitha trupave të saj, ndërsa vende të tjera si Kanadaja, Hollanda dhe Franca i kanë tërhequr ose e kanë shpejtuar tërheqjen e trupave të tyre. Takimi dy ditor i ministrave të NATO-s do të përfshijë dhe diskutimet për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Europë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›