Skandali i interkonjeksionit, banka gjermane rrëzon qeverinë
Tiranë- Banka gjermane KFV ka rrëzuar pretendimet e qeverisë shqiptare dhe OST-së për ndryshimin e fituesit në tenderin e interkonjeksionit me Kosovën.
Sipas proces-verbalit zyrtar të një mbledhje që është zhvilluar rreth një muaj më parë, në datën 13 Mars të këtij vitit në Frankfurt, mes drejtorit të OST, Arben Ibroja, homologut të tij kosovar Fadil Ismajli dhe përfaqësuesve të bankës gjermane KFV për të zgjidhur konfliktin, që ka marrë tashmë përmasat e një skandali, zbulohet se banka gjermane i ka hedhur poshte pretendimet e palës shqiptare.
Në këtë mbledhje OST ka mbrojtur vendimin e saj për të ndryshuar fituesin duke përdorur si argument kryesor faktin se ligji shqiptar i prokurimeve nuk lejon shpalljen fitues të një kompanie që ka dhënë çmim më të lartë në tender.
Por në dokument, banka gjermane KFV argumenton se shpallja fituese e kompanisë kroate Dalekovod, e renditur e para në tender, nuk është në kundërshtim me ligjin shqiptar të prokurimeve, ashtu sic pretendon qeveria shqiptare dhe operatori i sistemit të transemtimit OST. Sipas KFV, procesi i vlerësimit, i cili shpalli fitues kroatët është plotësisht në linjë me ligjin shqiptar të prokurimeve, më konkretisht nenin 55 të tij, i cili thotë teksualisht se autoriteti kontraktues i vlerëson dhe krahason ofertat në bazë të kritereve të vendosura përpara zhvillimit të tenderit.
Sipas këtij neni, që citon KFV, asnjë kriter tjetër nuk mund të përdoret për vlerësimin e fituesit nëse nuk është parashikuar më parë në dokumentat e tenderit.
Gjatë mbledhjes të mbajtur në Frankfurt, kreu i OST, Ibroja, ka paraqitur edhe disa argumenta të tjera për të mbrojtur vendimin e tij për ndryshimin e fituesit. Sipas tij, konsulenti i tenderit ka njoftuar kompaninë kroate se është shpallur fituese pa vënë në dijeni OST shqiptare. Por, drejtori i përgjithshëm i kompanisë konsulente Intec, ka treguar në mbledhje prova se një kopjeje e emailit i është dërguar edhe drejtorit të njësisë së zbatimit të projekteve në OST.
Zoti Ibroja ka pretenduar se OST nuk e ka aprovuar raportin final të vlerësimit të tenderit që shpallte fitues kompaninë kroate. Por edhe ky pretendim është rrëzuar nga KFV, e cila thotë se OST e ka dhënë aprovimin për tre fazat e vlerësimit të tenderit, paskualifikimin, vlerësimin teknik dhe atë financiar. Vlerësimi final-vijon KFV- vetëm sa bashkon në një vlerësimet e ndara të tre fazave.
Në fund, zoti Ibroja ka përdorur edhe agrumentin se diferenca e çmimit mes dy ofertave është e lartë ndaj nuk mund të shpallë fituese kompaninë Dalekovod, që ka ofruar një çmim rreth 8.6 milionë euro më të lartë. Por edhe për këtë pretendim të OST, banka gjermane e ka rrëzuar me tre argumente:
Së pari: KFV thotë se cmimi është në nivele normale për projekte ndërkufitare të tensionit të lartë sic është ai i linjës së interkonjeksionit.
Së dyti: OST ka rënë më parë dakord me formulën e vlerësimit të tenderit, e cilat i jep më shumë rëndësi kriterit teknik se sa atij financiar dhe rrjedhimisht mund të shpallë fituese një kompani që ndonëse ofron cmim më të larta, ka më shumë garanci teknike.
Kosto Financiare
Në përfundim: KFV shton dhe një argument të tretë, i cili rrëzon përfundimisht edhe leverdisshmërinë ekonomike të vendimit. Tashmë qeveria shqiptare thotë KFV ka vetëm dy zgjidhje të mundshme. Të pranojë fituese kompaninë kroate KFV ose të anullojë tenderin dhe të zhvillojë një tender të ri. Por, kostot shtesë nga ritenderimi thotë KFV, do të jenë të paktën 15 milonë euro, ose dy herë më të larta se sa diferenca e ccmimit mes dy kompanivë, pa përfshirë këtu kostot që vijnë nëse kroatët do të padisin qeverinë shqiptare.
Marrë nga TCH