E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE: Mbështesim Berishën, PS të pranojë rezultatin

Deklarata Grupi i partive të djathta të Parlamentit Europian shpreh shqetësim për situatën

Partia Socialiste duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe të ndalë kërkesat antikushtetuese për hapjen e kutive të votimit. Kjo ishte thirrja që erdhi dje nga grupi i Partive Popullore Europiane, pas takimit të zhvilluar në Bruksel në takimin e komitetit parlamentar shqiptar. Në deklaratën që nënshkruhet edhe nga kryetari i PPE-ve, Uillfried Martens, si dhe ministri italian, Franko Fratini, theksohet se ky grupi më i madh i partive europiane: “mbështet fuqimisht Kryeministrin Sali Berisha, qeverinë e tij dhe hapat që po bëhen për forcimin e demokracisë dhe integrimit në Bashkimin Europian”.

Por ky grup i rëndësishëm shpreh edhe shqetësimin e tij në deklaratë në lidhje me situatën e krijuar në vend pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit. “I bëjmë thirrje PS-së në opozitë të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Gjykata e Apelit dhe të gjithë vazhduesit ndërkombëtarë”, theksohet në deklaratën e PPE-së. Po kështu, aty nënvizohet se PPE e konsideron si tepër të gabuar mënyrën sesi partia në opozitë po përpiqet të mbikalojë instrumentet ligjore për kërkesat e saj në lidhje me hapjen e kutive.

“I kërkojmë opozitës të respektoj demokracinë kushtetuese dhe ligjet e vendit, duke përfshirë edhe vendimet e gjykatave zgjedhore”, vijon deklarata e PPE-së. Po kështu, aty theksohet se PPE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me thirrjet e Ramës për bojkot, të cilat tregojnë se ai është i vendosur për ta zgjatur bojkotin dhe konfliktin në mënyrë të papranueshme, ndonëse thirrjeve të mazhorancës për të arritur një kompromis. Në këtë kuadër përfaqësuesit e PPE-ve i bëjnë thirrje PS-së të kthehet në Parlament për të vijuar bashkëpunimin me mazhorancën dhe reformat në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›