Berisha: Rritja ekonomike ra nga 8 në 3.5 për qind
Kryeministri pranon për herë të parë rënien ekonomike me 4.5 për qind. Ndryshe nga parashihet, sipas të cilave rritja ekonomike do të ishte 8 për qind, vlera reale e rritjes ekonomike në vend u regjistrua në vlerën 3. 5 për qind. Por krahasuar me vendet e rajonit dhe
me ato të eurozonës Shqipëria nuk është prekur nga kriza financiare. Kryeministri Berisha deklaroi dje se Shqipëria do të ngelet jashtë krizës ekonomike për 3 arsye. Sipas tij ngarkesa e ulët fiskale ndaj biznesit; sektori publik i vogël, që nuk rëndon në supet e taksapaguesve dhe investime strategjike në infrastrukturë, që të gjitha këto në funksion të biznesit do të mbajë ekonominë tonë larg krizës. Sipas tij investitorët kanë nevojë jo vetëm për ligje të mira, por gjithashtu edhe për infrastrukturë të mirë, për shërbime të mira. Ne po punojmë për ju dhe ju urojmë mirëseardhjen!
Kriza
Duke u ndalur në efektet që kriza ekonomike botërore pati në Shqipëri, kryeministri Berisha vuri në dukje se vetëm falë reformave të ndërmarra dhe performancës së qeverisë, u arrit që të përballohej me sukses ajo tronditje e lehtë që u pasqyrua edhe në ekonominë shqiptare. Rritja ekonomike ra nga 8 në 3.5 për qind. Gjithashtu rënien patën edhe eksportet. Bankat në tre mujorin e fundit të 2008 u përballuan me pasojat e një farë paniku dhe disa qindra miliona euro kursime u tërhoqën. Ne vendosëm që të vazhdonim me reformat si mënyra e vetme për të përballuar këtë krizë, deklaroi Berisha. Sipas tij eksportet e Shqipërisë në tre mujorin e parë të këtij viti janë rritur më shumë se 100 për qind. Eksportet e Shqipërisë në vendet e importit, janë rritur me 26 për qind. Kemi një rritje marramendëse me eksportet tona. Sistemi bankar është një nga sistemet më të shëndetshme në botë. Depozitat u rritën. Në sistemin tonë bankar sot ka 780 miliardë lekë dhe janë kredituar rreth 45 miliardë lekë që do të thotë se raporti depozitë-kreditim, është shumë më mirë se optimalja e parashikuar u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në hapjen e Forumit të Krans Montanës, që mbahet në Tiranë. Para një paneli mjaft të rëndësishëm, të përbërë nga sipërmarrës dhe investitorë të huaj, ministra të kabinetit qeveritar dhe biznesmenë shqiptarë, duke falënderuar njëkohësisht organizatorët e këtij forumi, që për gjatë 20 viteve i ka qëndruar pranë zhvillimeve në Shqipëri, Kryeministri Berisha, shpalosi të gjitha potencialet që e bëjnë Shqipërinë një vend mjaft tërheqës për investime, me një klimë shumë të favorshme biznesi. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e cilësoi si mjaft të veçantë kohën kur mbahet ky forum, një kohë krize ekonomike botërore, por të cilës Shqipëria i bëri ballë, me shumë pak luhatje, falë reformave shumëdimensionale që janë ndërmarrë në lehtësimin e të bërit biznes në Shqipëri. Investitorët kanë nevojë jo vetëm për ligje të mira, por gjithashtu edhe për infrastrukturë të mirë, për shërbime të mira. Prandaj qeveria ime ka lëvizur në të gjitha drejtimet. Ne jemi të angazhuar që ta bëjmë vendin tonë me ngarkesën fiskale më të ulët në Evropë nënvizoi gjatë fjalë së tij kryeministri Berisha. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha renditi si mjaft të rëndësishme, zhvillimet që ka pasur në regjistrimet on-line të biznesit, modernizimin e doganave, taksa e sheshtë 10 për qind, pagesa e taksave on-line. Dje pashë regjistrin elektronik të bizneseve të reja, është shumë inkurajuese. Investimet direkte të huaja në 2008, janë rritur prej 59 për qind. Pasi Shqipëria mori ftesën për në NATO, deri më sot, ne kemi nënshkruar me 5 miliard dollarë koncesione dhe investime të drejtë për drejta të huaja. Investimet e huaja janë ulur pak, por nuk janë tërhequr. Të gjithë po vazhdojnë me projektet e tyre dhe qeveria është pranë tyre u shpreh kryeministri Berisha.
Stacionet hidrike, firmosen 200 kontrata
Potencialet e Shqipërisë, të cilat favorizojnë mjaft biznesmenët e huaj, kryeministri Berisha u ndal te energjia, e cila është një përparësi absolute e qeverisë. Në fjalën e tij kryeministri Berisha renditi marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara me qeverinë italiane, Malin e Zi, Kosovën, dhe së shpejti Maqedoninë, nënshkrimin e 200 kontratave koncesionare për stacionet hidrike; projektet ambicioze të qeverisë për energjinë nukleare, kontaktet me qeverinë e Katarit, e cila është e interesuar për ndërtimin e një centrali 2500 megavatesh, me qëllim transportim e energjisë në tregun italian dhe atë evropian; projektin e gazsjellësit TransAdriatik, i cili në Shqipëri gjen rrugën më të shkurtër të transportimit të gazit nga Azia Qendrore drejt Evropës, duke u shprehur se të gjitha këto janë përparësitë që do ta kthejnë Shqipërinë në superfuqi energjetike në rajon.
Interesi i kompanive më të mëdha botërore që kanë ardhur nga Kanadaja, Australia, Rusia e Kina, drejt minierave shqiptare, ishte një temë tjetër e trajtuat nga kryeministri Berisha në forumin e Krans Montanës, duke e cilësuar Shqipërinë, si një vend, i cili ka rol të rëndësishëm në tregun botëror të mineraleve, deklaroi Berisha gjatë takimit. Po ashtu edhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë me një breg të virgjër dhe me një turizëm që vitin e kaluar njohu një rritej prej 36 për qind, ishin një tjetër ftesë më shumë e kryeministrit Berisha ndaj investitorëve të huaj.
SME-të përbejnë 80 për qind të GDP-së në vend
Ekonomia Shqiptare gjatë viteve të fundit (2005 2009) ka njohur një rritje pozitive dhe të qëndrueshme, me një mesatare prej 5.6 për qind, ku në vitin 2008 arriti një nga vlerat më të larta të rritjes së PBB-së, prej 8 për qind. Gjatë vitit 2009, vlen të përmendet se performanca ekonomike është e kënaqshme kur krahasohet me progresin ekonomik të vendeve të rajonit, Bosnja Hercegovina rezultoi me -3 për qind, Mali i Zi -5,3 për qind, Serbia për qind , duke treguar se është një ekonomi vitale dhe optimiste. Sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, fluksi i IHD-ve për vitin 2009 vlerësohet në rreth 698 milionë euro, ose 3 për qind më shumë se në vitin paraardhës. Zhvillimi i sektorit privat, në veçanti i SME-ve, është një ndër prioritetet e qeverisë. Në vendin tonë operojnë rreth 105 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që kontribuojnë në mbi 80 për qind të GDP. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, SME-të përfaqësojnë 99.9 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve dhe mbulojnë rreth 82 për qind të numrit të përgjithshëm të punonjësve. Kreditimi i ekonomisë ka shënuar një rritje të lehtë edhe gjatë vitit 2009, ndonëse ky vit u karakterizua nga kriza globale financiare. Sipas raportit të Bankës Botërore, Doing Business 2010, Shqipëria renditet e 15 në botë për lehtësinë në sigurimin e një kredie. Portofoli i kredisë gjatë vitit 2009 ka arritur në 39 për qind të GDP, me një rritje prej 2 pikë përqindje në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit te kaluar. Për të përmiresuar klimën e financimit të SME-ve gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë disa masa që lidhen kryesisht me futjen e skemave të garantimit të kredive për SME-të. Krijimi dhe zbatimi i Fondit të garantimit të kredive për eksport në vlerë prej rreth 2 milion dollarësh, do të vazhdojë të përdoret për një periudhë kohore prej 6 vjetësh në ndihmë të SME-ve eksportuese. Krijimi i fondit të garantimit të kredive në një vlerë prej 2,5 milion Euro, në kuadër të programit italian për mbështetjen e SME-ve, është një instrument që do të lehtësojë aksesin e SME-ve në sistemin bankar dhe në disbursimin e kredisë prej 25 milion Eurosh me ndihmën e qeverisë Italiane. Vazhdimi i grantit, të Fondit të konkurrueshmërisë me kontribut të qeverisë shqiptare edhe për një fazë të dytë 2010-2012, në vlerë prej 250 mijë Euro, çdo vit, do të ndihmojë SME-të në rritjen e aftësive të tyre konkurruese. Java Evropiane e SME-ve është një fushatë pan Evropiane e koordinuar nga Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme e Ndërmarrjeve dhe I