Zyrtarët me imunitet, pengesë për hetimet
Njësitë e përbashkëta hetimore të pagëzuara si Task Forcë në sistemin e akuzës e kanë të pamundur të hetojnë ministrat, deputetët dhe gjyqtarët. Nëse prokuroria fillon hetimin për një zyrtar me imunitet, atëherë procedimi kalon në akuzën qendrore. Kjo e fundit i kërkon “leje” Parlamentit (për ministrat dhe deputetët) dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (për gjyqtarët). Në këto raste, pra vendimmarrja për heqjen e imunitetit do të kalojë në shumë “duar” dhe si rrjedhojë hetimi për këta zyrtarë do të dekonspirohet. Drejtuesit më të lartë të njësive antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Tiranës zhvilluan dje seminar për punën e deritanishme të këtyre njësive të ngritura në shtatë rrethe të Shqipërisë.
Problem imunitetiDrejtuesi aktual i njësisë së përbashkët hetimore në Tiranë, Dritan Rreshka, tha se një nga sfidat e kësaj strukture është riorganizimi i brendshëm, ndërsa problem mbetet imuniteti i zyrtarëve. Ai deklaroi se kërkohet nga ndërkombëtarët që të rritet niveli i të hetuarve, nga rangjet e ulëta deri te personat vendimmarrës, krerët e institucioneve, të cilët në shumë raste i kanë shpëtuar hetimit dhe gjykimit vetëm se kanë pasur imunitet. Ligji nuk i lejon të hetojnë personat me imunitet, përfshi këtu ministra, deputetë, gjyqtarë dhe zyrtarë të tjerë. Sipas Reshkës, hetimet në këto raste varen prej organeve kolegjiale, ku mundësia e dekonspirimit është shumë e madhe. Drejtuesi i Task Forcës së Tiranës mendon se marrja e “lejes” për të hetuar një gjyqtar pengon drejtpërdrejt punën e tyre, sepse çështja të tilla korrupsioni nuk mund të hetohen, pasi ka ndodhur vepra penale, por gjatë kryerjes së veprës penale. Në lidhje me masat që mund të marrë prokuroria për këto raste, Rreshka tha se akuza është një organ ligjzbatues. Ndërkohë, drejtuesi i Task Forcës në Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Kraja, deklaroi se në takime teknike të organizuara nga misionet e huaja është diskutuar mundësia e ndryshimeve në Kushtetutë dhe në Kodin Penal, ndërsa ritheksoi se “imuniteti është një pengesë për punën e përditshme”.
Njësitë e përbashkëtaDrejtuesi i njësisë në Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Kraja, bëri një rezyme të strukturave që drejton, ndërsa deklaroi se ngritja e këtyre njësive ka ardhur si domosdoshmëri për luftën ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në vitin 2007, njësia e parë që u ngrit ishte ajo e Tiranës, ndërsa një vit më parë u ngritën njësi të përbashkëta hetimore në gjashtë rrethe të ndryshme, ku krahas policisë, tatimeve, doganave dhe SHISH-it, u shtuan edhe oficerë ndërlidhës nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Treguesit më të mirë i ka padyshim Prokuroria e Tiranës, e cila ka numëruar vit pas viti një dyfishim të rasteve të hetuara.
Pas Krajës, fjalën e mori prokurori Altin Dumani, drejtuesi i parë i njësisë antikorrupsion në Tiranë, tashmë prokuror në Apel. Dumani tha se ka një bashkërendim të fuqive, të cilat sollën edhe goditjen e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Duke iu referuar shifrave të Gjykatës së Tiranës, prokurori shtoi se ka një shtim drastik të veprave penale të krimit ekonomik pas krijimit të Task Forcës në vitin 2007.
Në lidhje me dosjet e KLSH-së dhe të ILDKP-së diskutuesit thanë se prej një viti ka bashkëpunim më të mirë me këto institucione, kjo edhe për meritë të oficerëve ndërlidhës.
#