BSH: Këshilli mbikqyrës do të diskutojë raportin e polikës monetare për muajin gusht

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH) pritet të diskutojë raportin e politikës monetare për muajin gusht 2009 dhe të marrë vendimin për politikën monetare, në mbledhjen që do të zhvillohet në 26 gusht. Burime nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Mbikqyrës do të diskutohen informacionet "Mbi vrojtimin e aktivitetit të sistemit bankar", "Për ndërhyrjet në tregun e parasë dhe atë të brendshëm valutor gjatë periudhës prill-qershor të vitit 2009", "Mbi ecurinë e rezervës valutore dhe portofoleve të investimit gjatë muajit qershor" dhe "Buletini i bilancit të pagesave për vitin 2008". Ndërkohë, pjesë e kësaj mbledhjeje do të jetë dhe diskutimi i raportit të mbikqyrjes për vitin 2008, raporti "Mbi veprimtarinë e auditit të brendshëm në tremujorin e dytë të vitit 2009", informacionet "Mbi rekomandimin e auditit të jashtëm për aktivitetin e Bankës së Shqipërise në vitin 2008" dhe "Për pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për periudhën shtatëmujore të vitit 2009" etj. Gjithashtu, do të diskutohet dhe informacioni "Mbi realizimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009".
...