Papajani: Tolerancë zero ndaj sjelljeve korruptive në administratën tatimore

Nëse dikush ka dijeni për sjellje korruptive apo në kundërshtim me kodin e etikës nga punonjës të veçantë të administratës tatimore, ai duhet të informojë në Drejtorinë e Investigimit të Brendshëm. Ky është mesazhi që Drejtori i Përgjithshëm i Tatime, Artur Papajani u ka përcjellë të gjithë vartësve, por edhe tatimpaguesve në kuadër të luftës kundër korrupsionit nga punonjës të administratës tatimore. Sipas një njoftimi për shtyp të DPT-së, Papajani në mesazhin e tij ka sqaruar se nuk duhet të lejojmë që individë të veçantë të dëmtojnë punën, imazhin, përpjekjet dhe institucionin tatimor. Kreu i DPT-së shprehet se "jemi të ndërgjegjshëm se jo të gjithë tatimpaguesit deklarojnë ndershmërisht të gjitha detyrimet e tyre tatimore në përputhje me ligjin", por sipas tij, në një masë jo të vogël kjo vjen nga fakti se tatimpaguesit nuk besojnë plotësisht se ata trajtohen në mënyrë të barabartë. "Besimi publik në objektivitetin, kompetencat dhe integritetin e punonjësve të administratës tatimore është themeli bazë për ndërtimin e sistemit të përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore", shprehet Papajani në mesazhin nisur administratës tatimore. Ndër të tjera, ai thekson se "jemi të ndërgjegjshëm se disa nga kolegët tanë e kanë keqpërdorur detyrën dhe autoritetin që i jep ligji dhe e kanë dëmtuar besimin publik ndaj pjesës tjetër të stafit dhe ndaj administratës tatimore në tërësi". Sjelljet korruptive duhet të jenë absolutisht të papranueshme për punonjësit e administratës tatimore, të cilat sipas tij do të dënohen në përputhje me ligjin. Në këtë kuadër DPT ka vendosur edhe numrin pa pagesë : 0800 1414.
...