E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultivimi i duhanit në Elbasan rrit të ardhurat e fermerëve

Interesimi i firmave prodhuese të duhanit dhe rritja e çmimit të këtij produkti ka rritur edhe interesin e fermerëve kultivues, kryesisht të zonës së Dumresë në qarkun e Elbasanit, të cilët këtë vit kanë dyfishuar sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë bujqësore. "Nga ky aktivitet fermerët përfitojnë rreth 60% të të ardhurave të tyre familjare", tha shefi i Shërbimit Këshillimor pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Neshat Sadiku. Sipas tij, fermerëve që prej vitesh kultivojnë duhan, u janë shtuar këtë vit edhe shumë emigrantë, të cilët kryejnë të njejtën punë në shtetin fqinj, Greqi. Emigrantët, shtoi Sadiku, kanë investuar në mbjelljen e kulturës së duhanit në tokat e tyre në qarkun e Elbasanit. Për këtë arsye, specialistët e bujqësisë që në fillim të vitit kanë organizuar mjaft trajnime dhe këshillime me fermerët për rritjen e cilësisë, kjo edhe për shkak të futjes së farës së mirë që kërkon tregu botëror. Shumë firma prodhimi të duhanit në vend kanë lidhur kontrata të rregullta me fermerët e qarkut të Elbasanit, pjesa më e madhe në zonën e Dumresë dhe si pasojë, rritja e kërkesës ka  rritur çmimin e duhanit në treg. Falë këtij biznesi, janë rritur dukshëm fitimet dhe të ardhurat e fermerëve në zonat e Dumresë dhe Cërrikut, të cilët përmes kësaj tregtie po sigurojnë 60% të ardhurave familjare. "Pritet që vitet e ardhshme, fermerët të shumëfishojnë sipërfaqet e mbjella me duhan në qarkun e Elbasanit", tha Sadiku.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›