E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Blushi dhe Arben Malaj zbulojnë tezën “Bashkimi bën fuqinë”

Dy kundërshtarët e kreut të PS-së kanë mbajtur një takim kokë më kokë, ku kanë bashkërenduar veprimet e tyre, në prag të kongresit socialist. Malaj pati një takim më herët edhe me kreun historik të socialistëve, Fatos Nanon, dhe të gjithë së bashku, duket se po zbulojnë rendimentin e porosisë “bashkimi bën fuqinë”

TIRANE - Ben Blushi dhe Arben Malaj, të njohur si kundërshtarë të Edi Ramës, kanë zhvilluar dje mes tyre një takim, ku mësohet se kanë kërkuar të gjejnë një akord, për sa i përket qëndrimeve të tyre dhe të mbështetësve të shumtë.
Dy kundërshtarët më të fortë të Edi Ramës në PS, Arben Malaj dhe Ben Blushi janë takuar së bashku në një prej bareve më të njohura të kryeqytetit për më shumë se 1 orë. Kur nga Kongresi i PS-së na ndajnë vetëm pak ditë, biseda mes dy figurave të njohura të PS-së është zhvilluar rreth kësaj ngjarje. Mbledhja e firmave të delegatëve për t’u imponuar me propozimet për ndryshimet e statutit të socialistëve mbetet objektiv i parë këto ditë.
Ndërkohë të dy protagonistët kanë preferuar të shmangin komentet. Vetë Ben Blushi ka preferuar të mos komentojë kandidaturën e Arben Malaj për kryetarin e PS-së, dhe nga ana tjetër, Arben Malaj, edhe pse nuk e ka mohuar takimin me ish-liderin Fatos Nano, nuk ka zbardhur asnjë detaj rreth këtij takimi. Arben Malaj e ka deklaruar qartë se do të kandidojë përballë Edi Ramës për postin e kryetarit të partisë, por ai që është ende i paqartë është pozicioni i Blushit i cili edhe pse është shfaqur si kundërshtar i Rames nuk ka deklaruar ende nëse do të kandidojë për postin e kryetarit.
Ndërkohë, që pas humbjes së zgjedhjeve të PS në 28 qershor, Arben Malaj dhe Ben Blushi kanë shprehur në mënyrë të përsëritur kundërshtitë e tyre ndaj Edi Ramës, bashkë edhe me propozimet konkrete ëpr kapërcimin e situatës, ku në themel ka qenë mosrikandidimi i Ramës për postin e kreut të PS-së.

Arben Malaj
Më herët, Arben Malaj e ka cilësuar rikandidimin e Edi Ramës, si një mundësi që do  e çojë, sipas tij, PS-në drejt një humbjeje të pafundme. Ndërkohë ai nuk ka fshehur ambicien e tij, kur ka shpallur kandidaturën për kryetar të PS-së, në etiketimin “kandidat i bashkimit”
Arben Malaj ka bërë të ditur në qëndrimet e tij se, PS-ja ka nevojë të shërohet dhe jo të ndjehet më e dobësuar nga një garë që po e humbet për herë të dytë, për shkak se Rama e shkarraviti filozofinë e përgjegjësisë së humbjes, duke e përdorur atë si kusht për të pasur pushtet absolut. “Askush nuk mund të thotë sot se nëse Rama e shkarravit filozofinë e përgjegjësisë së humbjes, të cilën e përdori si kusht për të pasur pushtet absolut, atëherë kredibiliteti i tij do të jetë i cenuar. Një lider me këtë kredibilitet të cenuar e bën të vështirë fitoren e Partisë Socialiste, qoftë në garën për pushtetin vendor, qoftë për zgjedhjet parlamentare”, shprehet midis të tjerave Arben Malaj, deputet dhe kandidat i shpallur për kreun e kësaj partie.
Në përmbushje të kësaj ambicieje, ai ka bërë publike edhe platformën e tij, thelbi i së cilës rezulton në disa pika, sikurse janë ajo që “brenda Partisë Socialiste të ketë më shumë demokraci të brendshme”, “të rritet roli i grupit parlamentar”, “të rikthehet pavarësia e forumeve të partisë siç janë Forumi Eurosocialist dhe ai gruas”, “të rikthehet sistemi promovues”, etj.
Duke u ndalur edhe te lëvizja e tij, Arben Malaj flet edhe për koordinimet e kësaj lëvizje të tij. Sipas tij, kjo nuk është një garë individuale, por një angazhim edhe i përbashkët e individual, për të evidentuar gjithçka që është e nevojshme në këtë situatë ku është PS-ja.

Ben Blushi
Edhe Ben Blushi, megjithëse nuk ka shpallur kandidaturën e mundshme për postin e kreut të PS-së, bashkohet me qëndrimet e Arben Malajt, kur shprehet se, “PS-ja e ka humbur rrugën dhe se e majta e nesërme duhet të jetë pa Edi Ramën, nëse shpreson në ndonjë rezultat pozitiv”.
Në qëndrimet e tij, Ben Blushi nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se Edi Rama është shkaktari i vetëm i humbjes së zgjedhjeve nga ana e PS-së. “Edi Rama nuk ishte një fëmijë, që gjithë të tjerët i treguan se ç’duhet të bënte dhe tani nuk duhet zgjuar nga gjumi”, shprehej Blushi pak ditë më parë.
Duke mos e lënë lëvizjen e tij në nivelin e një lëvizje individuale, Ben Blushi bën të ditur se, ka filluar kontaktet me bazën e partisë dhe me delegatët e Kongresit, për një përkrahje edhe më të gjerë. Duke shpjeguar platformën e tij dhe të mbështetësve të tij, Ben Blushi bën të ditur se, këto ndryshime janë kryesisht një reflektim i 28 qershorit dhe synojnë t’i japin më shumë fuqi dhe autonomi Kongresit, Asambleve të bashkive dhe komunave, strukturave të qarqeve, duke zbutur diferencën mes fshatit dhe qytetit si dhe duke sqaruar disa nene të diskutueshme për mendimin e disave, siç është fati i kryetarit në rast humbjeje dhe detyrimi i tij për të kandiduar në listën e deputetëve, ndryshe nga precedenti i 28 qershorit kur çeta shkoi në betejë ndërsa oficeri nuk doli nga çadra.
Megjithatë Ben Blushi shprehet i bindur në mosrikandidimin e Edi Ramës për postin e kreut të PS-së. “Unë i mbetem deri në fund asaj që kam thënë. Edi Rama nuk duhet të rikandidojë. Rikandidimi do ta nxirrte në çdo rast më të dobët dhe çdo kundërshtar i tij do
uronte pikërisht këtë gjë, një njeri që ringrihet për të mos u ngritur”, shprehet Blushi.

Platforma me 10 pika e kundërshtarëve të Edi Ramës

1. Të forcohet roli i Kongresit në PSSH duke i dhënë atij fjalën e fundit në miratimin e programit elektoral dhe kandidatëve të PSSH në zgjedhjet lokale të përgjithshme.
2. Të pasurohet përbërja e Asamblesë Kombëtare duke gjetur një ekuilibër mes prurjeve të reja në parti dhe njerëzve të mandatuar në Kuvend dhe në bashki e komuna.
3. Të zgjerohen asambletë e bashkive/komunave duke i dhënë të drejte anëtarësisë të zgjedhë sipas parimit një anëtar- një vote, 1/3 e anëtarëve te tyre.
4. Të krijohen kryesitë e asambleve të komunave/bashkive, mungesa e të cilave ka dobësuar kolegjialitetin dhe rolin drejtues në nivelin lokal.
5. Të përcaktohen në statut detyrimi i kryetarit për të kandiduar në listën e deputeteve në rast zgjedhjesh parlamentare.
6. Të sqarohet përfundimisht çështja e rikandidimit të kryetarit në rast humbjeje të zgjedhjeve të përgjithshme.
7. Të forcohen funksionet e këshillit socialist të rrethit dhe autonomia e tij duke i dhënë atyre kompetencën e zgjedhjes me votë të lirë sekretarin e këshillit socialist të rrethit.
8. Të zgjerohet dhe forcohet roli i konferencave socialiste të qarqeve.
9. Ti jepet e drejte anëtarësisë së komunës të përcaktojë sipas parimit një anëtarë-një vote kandidatin për kryetar të njësisë vendore.
10. Të ndalohet me statut shkarkimi i drejtuesve vendore nga kryesia e PSSH, por të shkarkohen përmes mocioneve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›