BSH: Në 2008 niveli i inflacionit duhet 3%
• Në 2008 niveli i inflacionit duhet të jetë në nivelin e 3 përqindëshit. Ruajtja e stabilitetit të çmimeve nënkupton arritjen e normave të ulëta pozitive të inflacionit dhe mbajtjen e tyre për periudha relativisht të gjata kohe. Në terma sasiorë, Banka e Shqipërisë e ka përkthyer objektivin e stabilitetit të çmimeve në mbajtjen e inflacionit në nivelin 3 për qind, me një mundësi luhatjeje prej ± 1 pikë përqindjeje rreth kësaj vlere qendrore. Si matje e inflacionit gjatë këtij viti do të vazhdojë të jetë ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit, matur dhe publikuar nga INSTAT. Përcaktimi i mësipërm sasior i stabilitetit të çmimeve reflekton realitetin e ekonomisë shqiptare si një ekonomi në zhvillim. Këto ekonomi karakterizohen nga luhatje më të mëdha të çmimeve relative drejt gjetjes së ekuilibrave të duhur të ekonomisë së tregut.