Bien shitjet për industrinë e përpunimit, pritet rritje çmimesh
• Muaji i parë i vitit 2008 duket se nuk ka qenë fort i mbarë për industrinë e përpunimit në vend.Sipas një ankete të kryer nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH), gjatë janarit kanë rënë ndjeshëm shitjet e produkteve të gatshme. Gjithashtu të dhënat e anketës tregojnë se çmimet e këtyre produkteve do të rriten. Konkretisht sipas anketës së bërë nga QKZH-ë vihet re se treguesi i vlerësimit të situatës së biznesit në muajin janar tregon një dobësim të mëtejshëm të klimës së biznesit në sektorin e industrisë përpunuese. Kjo situatë vjen kryesisht për shkak të dobësimit të nivelit të kontraktimeve në këtë sektor, duke reflektuar në tendencën për rritjen e stokut të produkteve të gatshme. Treguesi i QKZH-së për besueshmërinë apo konfidencialitetin, në sektorin e industrisë përpunuese në muajin janar shënoi një rënie prej 15 pikësh në krahasim me 3 muaj më parë. Ndërsa treguesi i nivelit të gjendjes së produkteve të gatshme (stokut) reflekton në përgjithësi situatën e shitjeve dhe atë financiare. Në muajin janar 2008 rezulton një tendencë rritjeje e gjendjes së stokut të produkteve të gatshme me rreth 18 pikë në përqindje, duke arritur nivelin e 3 pikëve në përqindje, gjë që tregon një rritje të stokut të produkteve të gatshme. Kjo gjë që ka ardhur sigurisht nga një ngadalësim apo rënie e nivelit të shitjeve në sektor. Ndërsa përsa i përket çmimeve të shitjes sipas anketës balanca e përgjigjeve në lidhje me çmimet e prodhimit ka një rritje prej 8 pikësh. Padyshim që tendenca që vihet re në rritjen e çmimeve të produkteve industriale do të reflektohet edhe në rritjen e çmimeve me pakicë në muajt e mëvonshëm. Por një tjetër problem i këtij sektori është fakti se kompanitë nuk shfrytëzojnë vetëm rreth 2/3 e kapaciteteve prodhuese, nivel i cili megjithëse është 10-15 % më i lartë se në vitet 2003-2004 përsëri është shumë më i ulët se vendet e tjera evropiane në të cilat kapacitetet prodhuese përgjithësisht shfrytëzohet në 80-90 % të tyre. Sipas anketës së QKZH-së ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht në aktivitetin prodhues të industrisë së përpunimit janë legjislacioni financiar dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar.Padyshim që mungesa e fuqisë punëtore dhe veçanërisht asaj të kualifikuar do të çojë jo vetëm në një pengesë për rritjen e prodhimit, por do të sjellë rritje të çmimit të fuqisë punëtore, duke ndikuar në uljen e konkurrencës së prodhimit në Shqipëri me një ndikim gjithashtu edhe në rritje të mëtejshme të çmimeve të produkteve industriale.Problemet e industrisë përpunuese Rritet niveli i stokut për produktet e gatshme Mungesa e punëtorëve të kualifikuar Mungesa e energjisë elektrikeNuk ka kërkesë të lartë nga tregu i brendshëm Legjislacioni financiar