E Shtunë, 31 Tetor 2026

Foshnja e Mamurrasit, një tragjedi e ardhur nga varfëria ekstreme

• Në Fushë-Mamurras, në shtëpinë ku jeton familja Bushati, e njëjta që akuzoi policinë për vdekjen e vajzës 2-muajshe, ende pa u futur, të shpon hundët amoniaku i urinës, jo vetëm i bagëtive, që duket deri dje janë strehuar në dhomën fqinje.Nga Mamurrasi Ferdinand Dervishi, Roland NikolliKryefamiljari, Besniku, nuk gjendet në brendësi dhe shoqëruesi na bën shenjë të presim. Sipas tij, tradita e këtyre njerëzve të zbritur pak kohë më parë nga një fshat i thellë i Mirditës, nuk e lejon që të huajt të futen në brendësi të banesës, nëse aty nuk ndodhet një mashkull i rritur nga trungu i familjes. Tonaliteti i kërkesës është urdhërues. Ndërkohë gruaja, bashkëshortja e Besnik Bushatit, na sheh nga brenda dhe nuk lëviz asnjë muskul. Gjithsesi kryesorja na është përplasur mbi fytyrë. Gjatë dhe shkurt quhet varfëri dhe është e kudopranishme. Zë fill te banesa e pashtruar, kacavirret e bën me shenjë për mungesën e tavanit, zbret te vendet e mobilieve që mungojnë që të gjitha, lëkund në ajër një derë që duhet të ishte në dhomën e vetme që shërben edhe si kuzhinë edhe si dhomë ndenjeje e fjetjeje dhe përfundon e mbështjellë keqas në fytyrat pa gjak të dy djemve 5-6-vjeçarë, të veshur si për pranverë dhe të palarë prej një kohe të gjatë.Takim me skamjenFatmirësisht Besniku duket. Madje, vjen me një furgon me sigla të bashkisë së qytetit, nga ku shoferi e ndihmon të zbresë një divan, një raft buke dhe 3-4 batanije, të gjitha të përdorura. Vjen të na takojë, por nuk e ka shumë mendjen, pasi së pari duket ka dëshirë t'u thotë gruas, fëmijëve dhe gjyshërve, aty të pranishëm, se këtë dhuratë ia ka bërë kryetari i bashkisë dhe se mallrat janë "krejt t'reja". Gruaja e ndihmon ndërkohë të fusin divanin dhe batanijet në brendësi. Por Besniku nuk ulet me miqtë pa sistemuar edhe raftin e rëndë të bukës. Pastaj nis e u përgjigjet pyetjeve, por pothuajse gjithmonë duke harruar çka thënë më parë, më saktë nuk kujton pjesën ku ndërpreu rrëfimin. Gjithsesi i jep gojës. Tregon atë historinë e njëjtë sipas së cilës para pak ditësh, natën, duke u gdhirë e diel, 3 shkurt, lopa e fqinjit ishte futur në bahçen e tij dhe po hante lakrat dhe se fqinji i thirrur prej tij nuk vinte ta merrte, duke i thënë se po priste policinë, edhe pse Besniku e luste... Më tej policia që i thotë të vijë në Komisariatin e Laçit në orën 08:00 të së njëjtës ditë, se si u nisën që në 07:00 së bashku me gruan, pasi kjo më parë ushqeu fëmijën, vajzën 2.5 muajshe, Klodianën, që do të humbte jetën... Ah, Besniku është një i papunë, kështu edhe e shoqja, dhe të ardhurat e familjes janë vetëm 2 mijë lekë asistencë në muaj, pasi dy dele, që aktualisht nuk prodhojnë qumësht, nuk i shtohen kësaj ndihme. Për t'i ardhur në fund bilancit, familja para pak ditësh kishte gjashtë gojë për të ushqyer. I sqaruar të kapë momentin ku ndërpreu bisedën, Besniku rrëfen se u nisën për në policinë e Laçit duke ecur në këmbë shinave të trenit bashkë me gruan, pasi nuk kishin asnjë lek në shtëpi që të merrnin furgonin e linjës, por gjithsesi në Laç mbërrijnë në kohën kur kërkesa e policisë respektohej. Teksa kryefamiljari rrëfen, një nga djemtë i afrohet tinëz një pakoje me sheqer, i vetmi ushqim i dukshëm në raft, nëse nuk do të llogarisim një gjysmë shishe vaji për gatim, pa tapë dhe me likuid të papastër. 27-vjeçari që para pak ditëve kishte qenë baba i katër fëmijëve, vazhdon rrëfimin sipas të njëjtit version të bërë publik, ndërkohë që djali arrin të përshkojë një pirun në kutinë e sheqerit dhe të nxjerrë jashtë e të afrojë te goja përmbajtjen. "Polici që na thirri erdhi me vonesë dhe na mori në pyetje, po me vonesë. Na kanë lënë të lirë aty nga ora 3 pasdite dhe kur dolëm, sërish duke ecur shinave të trenit, mbërritëm te shtëpia vetëm në orën pesë pasdite", vazhdon rrëfimin i njëjti. Ndërkohë i biri, duke përfituar nga shmangia e vëmendjes së të tjerëve, ka arritur të gëlltisë disa porcione sheqer, duke e rrëzuar një pjesë nëpër gushë e rroba. E ëma e Besnikut, që ndërhyn në bisedë, rrëfen një tjetër moment të panjohur, sipas të cilit ajo vetë, aty rreth orës 13:00, kishte kërkuar pak qumësht në lagje për fëmijën që s'pushonte së qari, por nuk i kishte dhënë askush. Pas mbërritjes së prindërve, sipas Besnikut, gruaja nuk i ka treguar menjëherë për shëndetin e përkeqësuar të vajzës, pasi kishte pasur frikë se mos ai për pasojë kapërcente gardhin e rrihej me fqinjët, të cilët ishin bërë shkaktarë për thirrjen e tyre në polici. I njëjti këmbëngul se policia i ka kërkuar të dy burrë e grua që të shkonin në Laç, ndërkohë që e mbyll me momentin kur mjeku i ka thënë, të nesërmen në mëngjes, se vajza nuk ka më shpëtim, duke u uruar shëndet fëmijëve të tjerë. Teksa Besniku përsërit për herë të dhjetë se fajtore për vdekjen e vajzës është policia, një nga kushërirat e tij që e ka vënë re djalin e latërzhyer me sheqer, i hedh ca lugë në një pjatë, ia hollon me ujë dhe i rras në duar një copë bukë. Djali ndërkohë kishte nisur të bënte shumë kërkesa, kjo rëndoi veshët e kryefamiljarit që i bërtiti fort, duke e kërcënuar të heshtë se përndryshe do e rrihte sa ta lante në gjak.  Gjithë faji i varfërisëDuke i kthyer shpinën një skamjeje të tillë, urimi "Do Zoti e bëftë mirë për familjen tuaj!", të kërcet ndër dhëmbë si kokrrizat e hipokrizisë. Gjithsesi makina rrokullis gomat dhe të paktën pamja na shqitet nga ndjesitë vizive. Askush nuk flet derisa mbërrijmë në dyert e Komisariatit të policisë së Laçit. Aty na presin pothuaj të gjithë shefat e mëdhenj, në pamje të parë të gjithë të buzëqeshur. Janë të njëjtët që kanë katër ditë që nuk vënë gjumë në sy për shkak të kësaj ngjarjeje, janë të njëjtët që u bëjnë fëmijët telefonata nga shtëpitë në rrethe të ndryshme të vendit duke i pyetur: Babi, po e ndjekim në televizion, po ty do të të arrestojnë për vdekjen e asaj fëmijës?Shkurt, sipas policisë, dy bashkëshortët nuk janë mbajtur më shumë se dy orë në komisariat, se rreth orës 09:30 kanë qenë të lirë, se asnjë nga regjistrat apo komunikata zyrtare e dërguar edhe në Tiranë, nuk mund të tentohet që të falsifikohen. Më tej shtojnë se Dalina, gruaja e Besnikut, nuk është thirrur në polici, por ka ardhur me dëshirën e vet. Ajo ka firmosur përfund një deklaratë të hartuar, pasi Besniku nuk dinte të shkruante dhe për këtë policia jep një fotokopje të dokumentit të nënshkruar me një lloj kaligrafie për të dy bashkëshortët. Largohemi nga policia, pasi dikush prej shefave na beson edhe një të fshehtë. Sipas tij, që pas ngjarjes së vrasjes së fëmijës në Peshkopi nga një i sëmurë mendor, Besnikun, babanë e fëmijës së vdekur, e kishin listuar si të tillë dhe e mbanin nën kontroll... Në urgjencën e Mamurrasit, mjekja Liza Lleshi tregon regjistrin, sipas të cilit fëmija i Besnik e Dalina Bushatit është regjistruar në orët e para të mëngjesin të datës 5 shkurt. Pra, dy ditë pas thirrjes së prindërve në polici. "Erdha në orën tetë e mora turnin dhe Tixhe Sela, mjekja e natës, më tregoi për një rast të vështirë të mbërritur rreth orës 04:00 të mëngjesit. Më tha se fëmija ishte shumë keq dhe se e kishin nisur te pediatri", rrëfen mjekja duke vërtetuar gjithçka me anë të regjistrit dhe listës së dezhurnit të mjekëve. "Në fund do ju tregoj edhe diçka që më bëri përshtypje", rrëfen mjekja. "Gruan atë ditë, me gjithë foshnjën, i kam pasur këtu. Një infermiere mundohej ta ngrohte vocërraken me kompresa. Ndërkohë bashkëshorti nuk u duk edhe pas rreth katër orësh. Dikur e shoqja mori fëmijën dhe iku duke na lënë porosi që nëse ai do të vinte të pyeste, t'i komunikonim se nusja ishte nisur për në shtëpi. Nuk m'u duk në rregull nga trutë i shoqi". Më tej përgjatë një bisede telefonike mjeku pediatër Fran Picaku, i njëjti që ka vizituar fëmijën aty rreth orës 09:30, pohoi se foshnja ishte e kequshqyer vazhdimisht, pasi nuk kishte shtuar në peshë dhe se rrezikonte jetën për shkak të hipotermisë (temperatura kishte qenë shumë e ulët, 35.5). "I thashë gruas se fëmija duhet të shtrohej urgjent në spital, por ajo më thotë se duhet të priste të shoqin të merrte këtë vendim. Ky vjen pas pak dhe më thotë se nuk mundet ta shtrojë, se në shtëpi kishte lënë fëmijët e tjerë. Gjithsesi për mendimin tim gjendja e fëmijës ishte e pashpresë", e mbyll rrëfimin mjeku pediatër.* * *Vajza 2.5 muajshe e Besnik dhe Dalina Bushatit dha shpirt në shtëpinë e tyre të mjerë pak orë më pas, pasditen e 5 shkurtit. Mbase pa mundur t'u japë prindërve të saj të varfër një buzëqeshje të vetme. Fëmijët e moshës së saj këtë veprim bëjnë të parin. Porse mbase vetë prindërit përmes halleve pa asnjë zgjidhje nuk e kishin fare mendjen tek ajo buzëqeshje.“Akuzat ndaj policisë, trillime mediatike”TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit reagoi dje lidhur me situatën e krijuar në Laç, pas akuzave të familjes Bushati, se fëmija i tyre ka vdekur nga mungesa e nënës në shtëpi. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, tha dje gjatë deklarimit për shtyp se gjatë së premtes, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe organe të tjera të posaçme kryen hetim të plotë mbi këtë ngjarje. Sipas policisë, më 3 shkurt, në Komisariatin e Policisë së Laçit është thirrur për të dëshmuar mbi një vjedhje shtetasi Besnik Bushati, babai i foshnjës së vdekur. Sipas reagimit të policisë, babai i vajzës ka qëndruar aty nga ora 08:00 deri në orën 09:30 të paradites së diel. Zëdhënësi i policisë tha se nga verifikimet e kryera është konfirmuar se bashkëshortja Besnik Bushatit, Dalina Bushati, as nuk është thirrur, as nuk është shoqëruar nga komisariati i Policisë së Kurbinit. Ndërkaq policia, ka pohuar dje se nga hetimi i kryer rezulton se fëmija i çiftit Bushati ka ndërruar jetë të martën, dy ditë pas kohës kur shtetasi Besnik Bushati ka qenë i thirrur në Komisariatin e Policisë Laçit. Sipas Brankos e gjithë situata e përcjellë nuk është e vërtetë dhe pretendimi i prindërve se foshnja ka ndërruar jetë nga mbajtja në polici e prindërve nuk qëndron. "Fëmija i çiftit Bushati ka ndërruar jetë të martën, në datë 5 shkurt 2008, pra tri ditë pas kohës kur shtetasi Besnik Bushati ka qenë i thirrur në Komisariatin e Policisë Laç", tha zëdhënësi në deklaratën e tij për shtyp në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. d.bGSHDNJ: Akuza të nisë hetimin, pa denonciminTIRANE - Genci Terpo, juristi i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut dënoi dje veprimet e Policisë së Kurbinit që sollën vdekjen e një foshnje dymuajshe e gjysmë. Sipas tij, ky rast nuk është i pari i policisë shqiptare që me kryerjen e veprimeve arbitrare sjell pasoja të rënda në jetën e qytetarëve. Terpo në emër të GSHDNJ-së, tha se jo vetëm policia, por edhe Prokuroria e Laçit shkel ligjin kur pretendon se do të nisë çështjen penale në ngarkim të policëve vetëm pasi të ketë në dorë një kallëzim penal të bërë nga prindërit e foshnjës. Avokati i mirënjohur tha se është fakt që kultura juridike e Besnik dhe Davita Bushatit lë shumë për të dëshiruar, që e gërshetuar me varfërinë e tejskajshme ku jetojnë, bën që të jenë të pafuqishëm për t'iu kundërvënë organeve shtetërore, të cilat me arbitraritetin e tyre u sollën humbjen e foshnjës dymuajshe. Terpo tha më tej se policia shqiptare nuk e ka të parin precedent këtë, pasi të paktën GSHDNJ, ka ndjekur proceset edhe për çështje të tjera si "Tahirllari" dhe "Përfundi" në Korçë, Ceka në Mirditë, apo dhe çështje të tjera në kryeqytet dhe rrethe të tjerë. Duke shpjeguar për rastin "Bushati", Terpo tha se në bazë të ligjeve në fuqi policia kur ka të bëjë me nëna me fëmijë, fare mirë mund t'i pyesë në banesë, ose e shumta mund t'i shoqërojë në komisariat vetëm pak minuta dhe pastaj me mjete të policisë t'i dërgojë sërish në banesë. Për më tepër që në rastin konkret bashkëshortët Besnik dhe Davita Bushati nuk akuzoheshin për vjedhje, por ishin thirrur në polici si dëshmitarë.    fa.maFamilja e varfër, pushteti lokal programon ndihmë Ai e ka bërë hapin e parë, madje duke nxjerrë nga shtëpia e falur një pjesë të plaçkave. Dedë Ndreca, kryebashkiaku i Mamurrasit është njeriu i parë që i ka ardhur në ndihmë familjes së Besnik e Dalina Bushatit. Me të mësuar për ngjarjen, ai ka urdhëuar shoferin e një furgoni të Bashkisë të shkojë në shtëpinë e tij, ku ka ngarkuar një raft të drunjtë buke, një divan dhe disa batanije duke e sqaruar ti shkarkonte në shtëpinë e Besnik Bushatit. Në fakt mëngjesin e djeshëm kryebashkiaku i Mamurrasit kishte vizituar Bushatët në shtëpinë e tyre duke mbetur i shokuar. Madje, i futur tamam në atë rolin e vet të drejtuesit të pushtetit vendor, kishte menduar për më tepër. Gjatë kontaktit me gazetarët e "Panorama", Dedë Ndreca e nisi bisedën duke i kërkuar ndjesë të gjithëve sepse nuk kishte qenë në dijeni të faktit se në Mamurras ekzistonte një familje kaq në nevojë. "Për më tepër që këto ditë nuk kam qenë. Por me të mësuar, u nisa të ajo familje dhe pashë se vërtet ishte për të vënë duart në kokë. Eshtë një nga ato raste kur njeriu duhet të bëhet human dhe të lëshojë dorën edhe përtej mundësive", thotë Ndreca. Shpjegon se menjëherë pasi ka pirë kafen për vdekjen e vajzës është kujdesur t'i falë nga ana e vet nja dy mobilje dhe disa batanije. "Më tej kam përllogaritur t'i ndihmoj derisa t'u krijoj disa kushte minimale jetese", shpjegon kryebashkiaku duke premtuar se kjo do të jetë puna e parë me të cilën do të nisë të hënën me të mbërritur në zyrë. "Kam bërë plan që më fondet e bashkisë t'i ndreq dyshemenë, tavanin, të lyej shtëpinë me gëlqere dhe t'u vë dyer të mira që të rrinë ngrohtë. Më tej jam duke menduar të gjej një zgjidhje që të punësoj të paktën bashkëshortin që ky t'u çojë një rrogë kalamajve. Edhe këtë kam për ta bërë. Por bashkë do të flasim pas 10 ditësh. Më lini dhjetë ditë kohë dhe pastaj sillni edhe kamerat", përfundon njeriu në krye të komunitetit të zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›