“Bechtel-Enka”: Shoferët shqiptarë të gjithë në punë, s’ka diskriminim
• MIRDITE - Duket se asgjë nuk ka ndodhur në kampin e punëtorëve në Reps të Mirditës, ku ditë më parë, rreth 35 kamionistë shqiptarë bojkotuan punën për shkak të kushteve, që ata i quanin të papranueshme.Lidhur me këtë episod të "jetës" në kantierin gjigand të rrugës Rrëshen-Kalimash, është prononcuar edhe zëdhënësja e firmës "Bechtel-Enka", e cila ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e punëtorëve, duke u shprehur se nuk qëndron asnjë nga kërkesat e tyre. Si e sqaroni faktin që një pjesë e mirë e punëtorëve shqiptarë që protestojnë, kanë dalë në disa edicione televizive duke u shprehur se ka mjaft diferenca mes trajtimit të tyre dhe punëtorëve turq, si dhe kanë shfaqur ankesa në lidhje me mospagimin e ditëve të pushimit apo orëve shtesë?Nuk është e vërtetë që ka diskriminim mes punëtorëve shqiptarë dhe atyre turq. Ne i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë, me të njëjtat kushte pune. Ne paguajmë rregullisht sipas kontratës të punës, të gjitha orët shtesë, ditët e pushimit kombëtar dhe të dielat. Faktin që ata kanë dalë në ekrane televizive, duhet ta sqarojnë ata vetë, pasi për ne është i pakuptimtë. Unë mund t'ju them me siguri të plotë, që kompania jonë, vepron në përputhje të plotë me ligjet shqiptare dhe kushtet që janë përfshirë në kontrata.Meqë kompania juaj ka një kontratë strikte me shtetin shqiptar, ku ju kërkohet që të punoni gjatë 24 orëve të ditës, si e keni zëvendësuar volumin e punës, që lanë bosh shoferët protestues shqiptarë?Ne nuk i kemi zëvendësuar shoferët shqiptarë për faktin e thjeshtë se ata ende vazhdojnë punën në kompaninë tonë. Kjo do të thotë që respektojmë me përpikmëri edhe kontratën me shtetin shqiptar. Punëtorët nuk janë larguar nga puna dhe nuk i kemi pushuar ata. Puna vazhdon normalisht me të njëjtin ritëm si më parë.