E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Qeveria ka rritur shpenzimet për fushatë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 28-04-2011 12:00

Banka e Shqipërisë vuri dje në dukje se, qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet buxhetore në këtë kohë fushate. Guvernatori i BSH, Ardian Fullani, duke njoftuar zhvillimet ekonomike të tremujorit të parë të vitit tha se, bilanci i buxhetit për tremujorin e parë të vitit rezulton me deficit gati 12 miliardë lekë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, buxheti ishte suficitar me gati 700 milionë lekë. Guvernatori Fullani tha se, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, vlerësohet se shpenzimet qeveritare kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbajtjen e kërkesës në nivele pozitive, ndryshe prej sjelljes së vënë re vitin e kaluar. Gjatë kësaj periudhe, shpenzimet buxhetore janë rritur në terma nominalë me 16.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, kryesisht si pasojë e rritjes së shpenzimeve korente. Guvernatori lajmëron se, ruajtja e ritmeve të rritjes të ngjashme edhe përgjatë tremujorëve të tjerë të vitit, pritet të përkthehet në kontribut më të lartë të përbërësit të shpenzimeve qeveritare, në drejtim të kërkesës krahasuar me vitin 2010. “Zhvillimet e vërejtura, si në kahun e të ardhurave dhe atë të shpenzimeve, kanë shkaktuar rënien e balancës primare në vlera negative gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, pas një përmirësimi të dukshëm të saj në tremujorin e fundit të vitit 2010”, thuhet në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë për zhvillimet në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, sipas ligjit të buxhetit 2011, këtë vit parashikohet një deficit buxhetor në termat 3.5 për qind e PBB ose 46 miliardë lekë. Në bazë të kësaj logjike, qeveria ka konsumuar më pak se një të katërtën e deficitit buxhetor që i lejon ligji këtë vit. Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se, vendi po kalon një situatë të mirë buxhetore dhe se do të ruhen tërësisht parametrat që kanë lidhje me deficitin buxhetor, ashtu siç janë parashikuar edhe në buxhetin e vitit 2011. Kështu në muajt në vazhdim, qeverisë i lejohet të thellojë borxhin edhe me 34 miliardë lekë, ndërkohë që janë konsumuar rreth 12 miliardë lekë. Është bërë traditë tashmë, që në kohë fushatash zgjedhore qeveria të rrisë shpenzimet me ritme më të larta se, në vitet e tjera normale. Mirëpo, kjo tendencë i shkon ekonomisë si thikë më dy presa. Nga njëra ana thellohet borxhi i vendit dhe nga ana tjetër nxitet ekonomia dhe konsumi i saj, nëpërmjet investimeve dhe rritjes së qarkullimit të parasë në ekonomi. Me një situatë të tillë, ekonomia e vendit është përballuar edhe në zgjedhjet e vitit 2009. Gjatë këtij viti, deficiti buxhetor shënoi rekordin e dekadës me më shumë se 7 për qind. Institucionet financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, e kanë këshilluar qeverinë që të mos kalojë në më shumë se 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kufirin e deficitit buxhetor gjatë një viti fiskal. Banka e Shqipërisë vlerësoi nga ana tjetër, se projeksionet për të ardhmen mbështesin ruajtjen e ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare, edhe në vazhdim të vitit 2011. Konsumi dhe investimet private pritet të rriten më tej, ndërkohë që pas ngadalësimit në vitin 2010, edhe sektori fiskal pritet të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Pavarësisht kësaj, rritja e kërkesës vlerësohet se do të jetë nën potencialin e ekonomisë sonë edhe për vitin 2011. Kjo do të kushtëzojë presione rënëse mbi inflacion nga ekonomia e brendshme, të cilat pritet të balancojnë efektin e rritjes së çmimeve të huaja. Banka e Shqipërisë njoftoi se, është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme në kohën e duhur, për të respektuar objektivin e saj të inflacionit në periudhën afatmesme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›