Fullani kundër rritjes së Tatimit mbi Fitimin
Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës Qendrore gjykon se draftligji për të tatuar në mënyrë progresive, sipas fitimit, kompanitë e mëdha, nuk është i drejtë dhe nuk vjen në kohën e duhur. Sipas tij, një masë e tillë nuk do të ndihmonte në rritjen e konkurrueshmërisë dhe të joshjes së investitorëve të huaj. Në fakt, aplikimi i këtij ligji do të prekte më shumë sektorin bankar dhe atë të telekomunikacioneve, pikërisht sektorët të cilët nxitën edhe qeverinë për të nxjerrë vendimin dhe urdhëruar hartimin e draftligjit nga Ministria e Financave. Sistemi bankar në Shqipëri ndodhet në një fazë rritjeje dhe ligji në fjalë do të ndikonte në uljen e ritmeve investuese sipas ekspertëve. Por nga ana tjetër, draftligji për tatimin e kompanive të mëdha në mënyrë progresive, sipas fitimit të tyre, është gati. Ministria e Financave ua ka dërguar grupeve të interesit. Ky ligj, pjesë e paketës së re fiskale, që pritet të dërgohet në Kuvend përpara buxhetit të rishikuar që, sipas traditës së kësaj qeverie, bëhet prej disa vitesh në muajin korrik, përmban edhe ligjin për taksën e makinave e gjithashtu tabelën e re të çmimeve të produkteve të akcizës. Sipas draftligjit të përfunduar nga Ministria e Financave, tatimi mbi fitimin do të rritet në mënyrë progresive, në raport me të ardhurat. Po sipas të dhënave nga financat, kompanitë e mëdha do të tatohen sipas fitimit të tyre, në mënyrë progresive nga 10-30 për qind. Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore, mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë që Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të tyre, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të ardhurave të tatueshme. Në këtë mënyrë, nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti, nga 30%, në 70%, dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit nga 20% deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu, duke iu referuar draftligjit të Ministrisë së Financave, nuk do të njihen si shpenzime të zbritshme shpenzimet e një kompanie për bonuse dhe shpërblime, të cilat për shkak të shumave të larta, ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Për këtë arsye propozohet, që shpenzimet për bonuse/shpërblime, përveçse pagës së tetëmbëdhjetë, të mos njihen si shpenzime të njohura për efekte fiskale, ne sektorin financiar. Të gjitha këto masa merren për tatuar më tepër kompani, që kanë fitime shumë të mëdha. Deri tani, aplikohej taksë e sheshtë, ku tatim-fitimi ishte në masën 10 për qind, për të gjitha kompanitë. Vendimi për të tatuar mbi fitimin kompanitë e mëdha, u mor nga Kryeministri Berisha në mbledhje qeverie pak kohë më parë, duke u nisur nga konsumatori, i cili në 10 vitet e fundit është vjedhur si nga bankat, ashtu edhe nga kompanitë celulare.