E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Sistemi bankar i shëndetshëm, pavarësisht nga kriza botërore



Sistemi bankar shqiptar është një sistem i shëndetshëm dhe likuid. Pavarësisht krizës globale, sistemi bankar shqiptar në 3-mujorin e parë ka pasur qëndrueshmëri dhe gjendja e tij ka qenë e mirë për këtë periudhë. Në këtë përfundim ka arritur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e radhës, ku ka shqyrtuar gjendjen e sistemit bankar në fund të tremujorit të parë të vitit 2009. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së ka vlerësuar se sistemi bankar në fund të tremujorit të parë të vitit 2009 regjistroi një rritje të lehtë të totalit të aktiveve, në masën 0.04 për qind në terma relativë, kundrejt fundit të vitit 2008. Totali i vendosjeve në institucione financiare jorezidente është reduktuar gjatë tremujorit të parë të vitit me rreth 1.84 miliardë lekë (3.55 për qind). Marrëdhëniet kryesore zhvillohen me institucione të vendosura në vende si Greqia dhe Austria, të ndjekura nga Gjermania, Anglia, Italia etj. Veprimtaria e sistemit bankar ka pasur qëndrueshmëri, pasi si kredia, ashtu dhe depozitat, kanë pësuar rritje në këtë periudhë 3-mujore. BSH ka vlerësuar se ritmi i rritjes së kredisë vlerësohet rreth 5.25 për qind apo 20.84 miliardë lekë, kundrejt rritjes me 5.07 për qind (19.14 miliardë lekë) një tremujor më parë. Në bazë vjetore (mars 2008-mars 20009) vërehet rritje në nivelin 33.3 për qind, apo 104.3 miliardë lekë. Megjithatë, rritja vjen kryesisht nga ndikimi i kursit të këmbimit. Analiza e kredisë në monedhë origjinale tregon për rënie të kredisë në valutë në monedhat kryesore. Kjo do të thotë se në mungesë të ndryshimit të kursit të këmbimit, kredia në total u rrit 2.94 miliardë lekë, ose 0.74 për qind. Sipas raportit të BSH-së, në këtë periudhë vihet re se rritje ka pësuar kredia ndaj biznesit, në krahasim me atë të individit. Ndryshe nga tremujori paraardhës, analiza e dinamikës së strukturës së portofolit të kredive këtë tremujor dallon për ritmin më të lartë të rritjes së kredisë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve. Klasifikimi i kredisë, sipas subjektit të kredisë (biznese dhe individë) dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, në fund të tremujorit të parë të vitit, ashtu sikundër edhe në fundvitin 2008, dallon peshën më të madhe të kredisë për “investime në pasuri të paluajtshme” dhënë individëve me 23.3 për qind të tepricës totale të kredisë, pasuar nga “overdraft”-et për bizneset me 20.7 për qind të totalit. Ndërsa, norma më e lartë e rritjes konstatohet për kredinë dhënë individëve për konsumin e mallrave jo të qëndrueshëm, pasuar nga kredia për “overdraft” dhe ajo për kapital qarkullues dhënë bizneseve. Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar raportohet 4.4 për qind më shumë, kundrejt rritjes prej 0.37 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kapitali bazë vijon të dominojë në përbërjen e kapitalit rregullator të sistemit. Ai zë 95 për qind, nga 93.7 për qind të një viti më parë, çka tregon për një kapital rregullator cilësisht edhe më të mirë dhe të qëndrueshëm. Kapitali shtesë i sistemit përbëhet nga borxhi i varur. Aftësia e sistemit për të mbuluar me kapital rregullator humbjet potenciale nga kredia, e cila u përkeqësua ndjeshëm gjatë vitit 2008, paraqet pothuajse të njëjtën vlerë si edhe në fund të tremujorit të parë të vitit 2009. Nga ana tjetër, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rregullator vazhdon të jetë ende i lartë në nivelin 17 për qind, krahasuar me nivelin minimal të kërkuar 8 për qind, që buron nga standardet ndërkombëtare.

Fenomeni i tërheqjes së depozitave, i cili u shfaq fillimisht gjatë muajit tetor 2008, ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Në fund të marsit totali i depozitave të sistemit paraqitet 634.5 miliardë lekë, 2.5 për qind më pak krahasuar me fundin e vitit. Gjithashtu, që nga muaji tetor, muaji mars 2009 përbën muajin me rënien më të vogël. Bazuar në të dhënat operative, për periudhën 1 prill 2009 deri më 8 qershor 2009 rezulton se depozitat në tre monedhat kryesore kanë shfaqur rritje. Depozitat në lekë tregojnë një rritje prej 3 për qind, depozitat në euro 0.2 për qind dhe ato në USD 0.3 për qind. Treguesi “kredi ndaj totalit të depozitave” duket të jetë rritur gjatë tremujorit të parë të vitit në 4.3 pikë përqindje, krahasuar me dhjetorin 2008. Rritja e treguesit vjen nga rënia e depozitave nga klientët, ndërsa portofoli i kredisë ka vijuar rritjen. Vlerësimi i përshtatshmërisë së aktiveve likuide të sistemit tregon se ato janë të mjaftueshme për të mbuluar rënien e nivelit të depozitave sipas disa skenarëve. Rezultati neto i sistemit bankar për tremujorin e parë të vitit 2009, ndryshe nga një tremujor më parë, raportohet në një vlerë pozitive prej rreth 275 milionë lekë. Treguesi përllogaritet më pak sesa mesatarja tremujore e vitit 2008, prej rreth 1.833,9 milionë lekësh. Ndikimin kryesor e kanë dhënë shpenzimet për provigjone nga kreditë (të cilat përllogariten rreth 2 herë më të larta) si edhe shpenzimet e veprimtarisë, të cilat tregojnë vijimësinë e zgjerimit të vëllimit të aktivitetit dhe veprimtarisë që ka pësuar sistemi bankar kundrejt një viti më parë.

Rritet ndjeshëm kredia në lekë

Duke qenë se euro ka pasur një epërsi në këtë periudhë ndaj lekut dhe kredia e marrë në monedhën evropiane do t’i kushtonte më shumë një qytetari shqiptar, ata kanë preferuar ta marrin atë në lekë. Siç raporton BSH-ja në raportin e saj të fundit, dinamika e portofolit të kredive sipas monedhave edhe këtë tremujor dallon rritjen më të madhe të kredisë në lekë. Kredia në lekë u rrit 6.88 për qind dhe kredia në valutë u rrit 4.64 për qind kundrejt rritjes respektivisht prej 9.4 për qind dhe 3.5 për qind një periudhë më parë. Bankat e mëdha vlerësohet të kryejnë mbulim më të mirë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit që shoqëron kredinë në valutë, kur të ardhurat e kredimarrësit janë në lekë, krahasuar me bankat e mesme dhe bankat të vogla të sistemit. Ritmi i rritjes së kredive me probleme është reduktuar gjatë tremujorit të parë të vitit në 19.73 për qind. Raporti “Kredi me probleme/teprica e kredisë” përllogaritet në nivelin 7.55 për qind krahasuar me 6.64 për qind në fundvitin 2008. Ky tregues regjistroi nivelin më të lartë të gjashtë viteve të fundit në muajin shkurt të vitit 2009, kur arriti nivelin 7.77 për qind. Cilësia e kredive vijon të shfaqet më problematike për bizneset. Gjithashtu, portofoli i kredive në lekë vijon të jetë më problematik në drejtim të cilësisë së tij kundrejt portofolit të kredisë në valutë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›