"Mbretëresha Geraldinë" Rikujton vizitën dy vjet më parë të çiftit Bush
Vizita historike e ish-Presidentit amerikan, George W. Bush, dhe bashkëshortes së tij Laura Bush, dy vjet më parë në vendin tonë, vazhdon të lërë gjurmë, veçanërisht në ato institucione, të cilat patën rastin të prisnin çiftin amerikan. Materniteti "Mbretëresha Geraldinë", ka rikujtuar sërish këtë vizitë nëpërmjet një ceremonie, ku pjesë e saj kanë qenë dhe përfaqësues të ambasadës amerikanë në vendin tonë. Në këtë eveniment është zbuluar dhe një pllakë simbolike, me një mbishkrim, të shkëputur nga fjala e ish-Zonjës së Parë, Laura Bush. "Ne kemi vendosur dhe një thënie të zonjës Bush gjatë kësaj vizite, që unë e admiroj punën e shkëlqyer në spitalin "Mbretëresha Geraldinë". Ne e hoqëm këtë fragment, në mënyrë që lë të jetë një motiv më shumë në punën tonë të përditshme dhe le të jetë një objektiv që ne duhet ta arrijmë në përmirësimin e kushteve karshi nënës dhe fëmijës", - tha Halim Kosova, drejtor i maternitetit "Mbretëresha Geraldinë". Ndërkohë, përfaqësuesi i ambasadës amerikane, Biks Aliu, ka përcjellë mesazhin se bashkëpunimi me institucionet shqiptare, e në veçanti me këtë maternitet, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi tashmë ky institucion ka plotësuar standardet e një spitali evropian.
Përbërësi i domates mbron zemrën
Hulumtimet e zhvilluara në Universitetin e Cambridge tregojnë se përbërësi i domates, likopeni, mund ta pengojë zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe të ulë rrezikun për sulme në tru. Hulumtimet e konsumimit të përditshëm të tabletave me likopen, kanë treguar se vetëm për periudhë 8-javore vjen deri te ndërprerja praktike e oksidimit të LDL kolesterolit (të keq) në gjak. Shkencëtarët besojnë se tabletat me likopen në testimet e ardhshme klinike do të mund të vërtetohen se janë madje më të efektshme se statinat, barëra të dedikuar për uljen e kolesterolit të lartë në gjak. Likopeni është antioksidues i domates, përgjegjës për ngjyrën e saj të kuqe, por sipas informatave të deritanishme, është vështirë të absorbohet në formë natyrale.
Skuqja nga alkooli dhe karcinoma e ezofagut
Skuqja, e cila paraqitet pas konsumimit të alkoolit, nuk paraqet vetëm "turp", por njëkohësisht tregon edhe rrezik për zhvillimin e karcinomës së ezofagut. Kjo skuqje mund të përcillet me mundim dhe rrahje të shpejta të zemrës, ndërsa supozohet se vjen si pasojë e mungesës së enzimës ALDH2 (mungesa e të cilës është e trashëguar, ndërsa më shpesh paraqitet te banorët e Azisë Lindore- Japoni, Kinë, Kore etj.). Mungesa e kësaj enzime shkakton probleme në metabolizmin e alkoolit, kështu që në organizëm grumbullohet acetaldehidi. Personat të cilët kanë mungesën e enzimës ALDH2 janë për 6-10 herë më të rrezikuar nga karcinoma e ezofagut nëse pijnë çdo ditë alkool, shkruan revista mjekësore “PLoS Medicine