E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa për kompensim financiar

10/06/2009  Hyn në fuqi vendimi për ndarjen e 600 milionë lekëve. Botohen të plota dokumentet që duhen

Genci Çelo: Më 15 qershor deri më 14 korrik aplikimi për kompensim

Për 30 ditë, duke filluar nga 15 qershori të gjithë ish-pronarët që nuk kanë përfituar nga kompensimi financiar i këtyre viteve mund të nisin aplikimet. Nëndrejtori i AKKP-së, bëri të ditur dje detajet në lidhje me kompensimin financiar të këtij viti. “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave fillon procedurat për pritjen e kërkesave dhe regjistrimin e tyre ditën e hënë datë 15 qershor dhe vazhdon deri më 14 korrik, pra 30 ditë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Sipas nëndrejtorit të AKKP-së, Genci Çelo, subjektet prona e të cilave është e gjitha për kompensim, pra nuk duhet të kenë përfituar nga kthime dhe kompensime të mëparshme dhe njëkohësisht nuk duhet të kenë përfituar nga shpërndarja e tokës sipas ligjit 7501. Gjithashtu kompensimi do të kryhet deri në 200 metra truall”, - tha Çelo.

Kush përfiton

Por mund të aplikojë kushdo që nuk ka bërë asnjëherë aplikim gjatë viteve të mëparshme. Sipas Çelos, duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës. “Ato janë kryesisht vendimet e komisioneve së bashku me planvendosjen përkatëse, hapi i trashëgimisë, prokura e posaçme. Personat që kanë dorëzuar kërkesat e tyre në vitin 2008 dhe nuk kanë përfituar për shkak të mbarimit të fondit të kompensimit, ata do të kenë më pak dokumentacion për të paraqitur. Ata do të plotësojnë vetëm formularët”, - tha Çelo. Ky është viti i pestë që në buxhetin e shtetit parashikohet fond për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për këtë vit pritet që të kompensohen financiarisht rreth 150 ish-pronarë, nga 600 që nuk përfituan vitin e kaluar. Procedurat e aplikimit janë të hapura edhe për ata qytetarë që nuk përfituan nga aplikimi i një viti më parë, por edhe për gjithë të interesuarit e tjerë që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë më parë në këtë proces. Për ata që ishin të listuar në vitin 2008 dhe që nuk u shpallën fitues, aplikimi do të jetë vetëm me një kërkesë të thjeshtë pranë zyrave të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Vendimi

Sipas vendimit, subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, do të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, nga kthimi fizik i pjesshëm i pronës, nga e drejta e parablerjes dhe nga zbatimi i ligjit nr. 7501. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet”, - thekson vendimi i qeverisë. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për të gjithë ata që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e procesit të aplikimit për kompensim financiar. Në të njëjtën kohë, personat që kanë dokumentacion të mangët sa i përket hartografive, mund të paraqiten në çdo moment pranë kësaj agjencie me një kërkesë për saktësimin e hartave. Vetëm kështu ata mund të kenë mundësi që të riklasifikohen për t’u trajtuar me kompensimin financiar të radhës.

Programi

Rreth 2,1 miliardë lekë parashikon të shpenzojë Qeveria deri në 2011-n për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Në programin buxhetor afatmesëm, theksohet se nga viti në vit shifra e ish-pronarëve që do të përfitojnë të holla do të jetë rreth 500, ndërsa fondet do të shtohen rreth 100 milionë çdo vit. Në vitin 2009 kjo shifër është miratuar tashmë në vlerën 600 milionë lekë të reja, për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2011 plot 800 milionë lekë do të vihen në dispozicion të ish-pronarëve. Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›