Raporti, kreditimi në rritje krahasuar me 2008-ën
Kreditë me probleme pësojnë rritje, duke arritur kulmin në shkurt. Depozitat rriten me 3%
Muajt e parë të këtij viti shënuan rritje të kreditimit nga bankat krahasuar me 3 muajt e fundit të 2008-ës
Sistemi bankar në vend ka pësuar një përmirësim tre muajt e parë të viti, krahasuar me fundin e vitit 2008.
Banka e Shqipërisë raporton se ritmi i rritjes së kreditimit gjatë periudhës janar-mars 2009, ka qenë më i lartë se ai i 3-mujorit të fundit të vitit të kaluar, por gjithashtu gjatë kësaj periudhe është vënë re edhe një rritje e kredive me probleme.
"Ritmi i rritjes së kredisë vlerësohet rreth 5.25 për qind apo 20.84 miliardë lekë, kundrejt rritjes me 5.07 për qind ose 19.14 miliardë lekë që shënoi një tremujor më parë.
Në bazë vjetore, mars'08-mars'09 vërehet rritje në nivelin 33.3 për qind apo 104.3 miliardë lekë",- citohet në njoftimin zyrtar të BSH-së. Megjithatë, sipas këtij institucioni, rritja vjen kryesisht nga ndikimi i kursit të këmbimit.
Por Banka vëren se gjatë kësaj periudhe kredia në valutë ka pësuar rënie dhe se në mungesë të ndryshimit të kursit të këmbimit, kredia në total u rrit 2.94 miliardë lekë, ose 0.74 për qind. Në ndryshim me tre-mujorin paraardhës, kjo periudhë është karakterizuar nga një ritëm më i lartë i kredisë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve.
"Raporti "kredi me probleme/teprica e kredisë" përllogaritet në nivelin 7.55 për qind krahasuar me 6.64 për qind në fundvitin 2008. Ky tregues regjistroi nivelin më të lartë të gjashtë viteve të fundit në muajin shkurt të vitit 2009, kur arriti nivelin 7.77 për qind".
Megjithatë, ritmi i rritjes së kredive me probleme është reduktuar gjatë tremujorit të parë të vitit në 19.73 për qind.
Sipas Bankës së Shqipërisë, cilësia e kredive vijon të shfaqet më problematike për bizneset. Ndërkohë kreditë e dhëna në lekë vijojnë të jenë më problematike përsa i përket cilësisë sësa ato në valutë.
Kreditë
"Klasifikimi i kredisë sipas subjektit të kredisë, biznese dhe individë, dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, në fund të tremujorit të parë të vitit, ashtu sikundër edhe në fundvitin 2008, dallon peshën më të madhe të kredisë për "investime në pasuri të paluajtshme" dhënë individëve me 23.3 për qind të tepricës totale të kredisë, pasuar nga "ovërdraftet" për bizneset me 20.7 për qind të totalit.
Ndërsa, norma më e lartë e rritjes konstatohet për kredinë dhënë individëve për konsumin e mallrave jo të qëndrueshëm pasuar nga kredia për "ovërdraft" dhe ajo për kapital qarkullues dhënë bizneseve. Ndërsa, norma më e lartë e rritjes konstatohet për kredinë dhënë individëve për konsumin e mallrave jo të qëndrueshëm pasuar nga kredia për "ovërdraft" dhe ajo për kapital qarkullues dhënë bizneseve, "- thuhet në raport.
Kredia dhënë individëve për qëllime investimi në pasuri të paluajtshme përbën rreth 68.5 për qind të kredisë dhënë individëve. Gjithashtu gjatë 2009-ës, bankat kanë shtuar kreditimin në monedhën vendëse. Sipas njoftimit të BSH-së, kredia në lekë u rrit 6.88 për qind dhe kredia në valutë u rrit 4.64 për qind kundrejt rritjes respektivisht prej 9.4 për qind dhe 3.5 për qind një periudhë më parë.
"Një burim i rëndësishëm financimi për disa nga filialet apo degët e bankave të huaja në Shqipëri janë huatë e marra nga bankat mëma, bankat e tjera të grupit dhe institucione të tjera financiare jorezidente. Gjatë këtij tremujori, këto fonde rezultojnë të rritura me 5.5 për qind, ndërsa evidentohet edhe rritja e rëndësisë së tyre ndaj totalit të burimeve",- citohet në njoftim.
Depozitat
Banka e Shqipërisë raporton se fenomeni i tërheqjes së depozitave vazhdoi edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, por gjatë marsit u shënua tërheqja më e vogël që prejt tetorit të vitit të kaluar.
"Bazuar në të dhënat operative, për periudhën 1 prill 2009 deri në 8 qershor 2009, rezulton se depozitat në tre monedhat kryesore kanë shfaqur rritje.
Depozitat në lekë tregojnë një rritje prej 3 për qind, depozitat në euro 0.2 për qind dhe ato në dollarë 0.3 për qind",- theksohet në njoftim. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi dje një shtesë në rregulloren "Për administrimin e rrezikut të kredisë".