E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN, alarm për rritjen e çmimeve

Fondi Monetar Ndërkombetar kërkon të gjendet zgjidhje mbi krizën e ushqimeve dhe të rritet çmimi i energjisë

Fondi Monetar i cili gjendet prej dy ditësh në vendin tonë, i ka kërkuar qeverisë të marra masa të menjëhershme për të zbutur efektin e rritjes së çmimeve. Nga ana tjetër, FMN-ja vazhdon të qëndrojë skeptike ndaj rezultateve të Korporatës Energjetike dhe për këtë ka kërkuar që në datën 5 maj të nisin bisedimet mbi një tjetër rritje të çmimit të energjisë për muajin korrik. Kanë qenë këto kërkesat e para të zyrtarëve të FMN-së, në diskutimet që kanë nisur me Ministrinë e Financave. Burime pranë këtij institucioni kanë pohuar për gazetën “Korrieri”, se kërkesat e FMN-së për sa i përket rritjes së çmimeve të ushqimit konsistojnë në gjetjen e një zgjidhjeje, e cila duhet të japë efekt të menjëhershëm për të zbutur efektet negative që përcillen për të gjitha shtresat e shoqërisë. Përpara presionit të Fondit Monetar dhe krizës botërore të ushqimeve, e cila po prek vendin tonë, Ministria e Financave është shprehur se rritja e pagave dhe e pensioneve në muajin korrik do të zbusë efektet negative. Por nga kjo masë do të përfitojnë vetëm buxhetorët dhe pensionistët, ndërkohë që mbetet jashtë sektori privat. Vetëm rritja e pagave dhe pensioneve nuk ka bindur sa duhet zyrtarët e FMN-së, në një kohë që bëhet fjalë për një krizë botërore të ushqimeve. Pavarësisht se vetë kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, kërkoi që edhe nga sektori privat që të merret e njëjta masa si për buxhetorët, qeveria është duke diskutuar me Fondin Monetar planin B, për gjetjen e një zgjidhjeje. Opsionet të cilat pritet të diskutohen për gjatë 13 ditëve të qëndrimit të Fondit Monetar, është kompensimi i çmimit të bukës nga qeveria. Pra, e thënë ndryshe, ekzekutivi kërkon të kompensojë një pjesë të çmimit të bukës, në mënyrë që çmimi i shitjes tek blerësi të jetë më i ulët. Po ashtu, një tjetër opsion diskutimi ka qenë edhe heqja e TVSH-së për importuesit e drithërave, por si Fondi Monetar, ashtu dhe Ministria e Financave kanë shprehur rezerva mbi impaktin pozitiv që mund të japë kjo në çmimin e shitjes së bukës. Këto janë opsionet e masave të menjëhershme që kërkon të marrë qeveria mbi zgjidhjen e krizës së çmimeve. Por, duke qenë se kriza e çmimeve parashikohet të zgjasë 3 vjet, qeveria pritet të marrë masa, efektet e së cilave do të jenë afatgjata. Hartimi i buxhetit suplementar pritet të sjellë edhe strategjitë konkrete që qeveria kërkon të marrë në sektorin e bujqësisë, i cili mbetet faktori kryesor në zbutjen e inflacionit në vend.

Po ashtu, edhe kësaj radhe FMN-ja vazhdon ta konsiderojë KESH-in si gropën e zezë të buxhetit të shtetit, duke kërkuar që nga data 5 maj të nisin bisedimet mbi rritjen e çmimit të energjisë për muajin korrik. Por kësaj radhe, kërkesa e fondit për një rritje tjetër të çmimit të energjisë nuk ka bindur zyrtarët. Drejtues të Entit Rregullator të Energjisë pohojnë se për vitin 2008 nuk është e nevojshme një tjetër rritje e çmimit të energjisë. Kjo argumentohet me faktin se situata energjetike në vend është përmirësuar ndjeshëm, janë hequr kufizimet, si dhe po eksportohet energji në Kosovë, fakte këto të cilat nuk kërkojnë të shoqërohen me rritje tjetër të çmimit. Ndërkohë që ERT kërkon që nga ana e korporatës të përmirësohet niveli i arkëtimit të energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›