E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Thellohet deficiti në 9-mujorin e 2008-s

TAB

Zhvillimet kryesore në sektorin e jashtëm:

*Rritje e konsiderueshme e shpenzimeve dhe e të ardhurave korente.

*Thellim i mëtejshëm i deficitit tregtar dhe i atij korent.

*Rritje modeste e flukseve hyrëse të kapitalit në formën e investimeve të huaja direkte dhe të huamarrjes së sektorit shtetëror.

*Rritje e rezervave valutore të autoritetit monetar.

Deficiti i tregtisë së mallrave, 16% më i lartë se në 2007-n

Rriten importet në vlerë edhe nga çmimi i naftës

Thellohet deficiti në Shqipëri në 9 muajt e Këtij viti, nga janari në shtator. Në raportin e BSH-së, “zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë për periudhën janar-shtator të vitit 2008”, nga të dhënat rezulton se deficiti është thelluar, si ai tregtar dhe ai korent.

Sipas raporti të BSH-së, bilanci i përgjithshëm i pagesave për periudhën janar–shtator të vitit 2008 rezultoi me një rritje të mjeteve valutore prej 101.4 milionë eurosh. Llogaria korente regjistroi një deficit prej rreth 840 milionë eurosh. Flukset hyrëse të kapitalit regjistruan vlerën 767 milionë euro, duke financuar rreth 91 për qind të deficitit korent.

Transaksionet korente të kryera gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2008 vlerësohen në rreth 6.7 miliardë euro, duke qenë rreth 10% më të larta se transaksionet e së njëjtës periudhë të një viti më parë. Bilanci i llogarisë korente gjatë nëntë muajve të parë të vitit ka regjistruar një deficit prej rreth 840 milionë eurosh, ose një rritje vjetore prej rreth 60%. Thellimi i deficitit korent ka ardhur si pasojë e rritjes së deficitit tregtar dhe e ngushtimit të bilancit pozitiv të llogarive të shërbimeve dhe të transfertave korente. Shkëmbimet tregtare në mallra dhe shërbime përfaqësojnë pjesën më të madhe të transaksioneve korente të Shqipërisë me botën. Rreth 95% e shpenzimeve korente të kësaj periudhe ka shkuar për blerje mallrash dhe shërbimesh, ndërkohë që rreth 27% e të ardhurave korente ka hyrë në formën e transfertave. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve siguruan përkatësisht 24% dhe 40% të të ardhurave korente.

Tregtia me jashtë

Shkëmbimet tregtare në mallra të Shqipërisë me botën, gjatë periudhës janar–shtator të vitit 2008 shënuan një vlerë prej rreth 3.3 miliardë eurosh, duke qenë rreth 18% më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Shpenzimet për importin e mallrave shënuan vlerën 2.547 milionë euro, ndërkohë që të ardhurat nga eksporti i mallrave arritën në 708 milionë euro. Deficiti i tregtisë së mallrave shënoi vlerën 1.8 miliard euro, duke qenë rreth 16% më i lartë sesa në vitin 2007. Të ardhurat nga eksporti i mallrave kanë mbuluar rreth 28% të importeve, një raport ky i krahasueshëm me atë të vitit të kaluar. Rritja vjetore e vlerës së importeve të mallrave shënoi 17%, një normë kjo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar. Një faktor që ka ndikuar në rritjen e vlerës së importeve ka qenë rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Importi për përpunim aktiv ka shënuar një rritje vjetore prej 7% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që pesha e kësaj kategorie importesh ndaj vlerës së përgjithshme të importeve ishte 12%. Kontributin kryesor në rritjen e shpenzimeve për importe e ka dhënë rritja e importeve të lëndëve djegëse, makinerive dhe pajisjeve, ushqimeve dhe kafshëve të gjalla dhe mallrave të përpunuar. Vlera e importeve të këtyre kategorive ndaj vlerës së përgjithshme të importeve është rreth 73%. Importet e produkteve minerale, ndër të cilat pjesën më të madhe e zënë importet e lëndëve djegëse minerale, kanë pësuar rritje të ndjeshme prej 35%, ndërsa importet e kategorisë “makineri dhe pajisje” janë rritur me 18%. Rritja e çmimeve të karburanteve ka bërë që vlera e importeve të këtyre të fundit, gjatë vitit 2008, të shënojë një rritje të konsiderueshme vjetore prej rreth 50%. Shpenzimet për karburante gjatë nëntë muajve të parë të vitit ishin rreth 210 milionë euro nga 140 milionë euro, në nëntëmujorin e parë të vitit 2007. Rritja e vlerës së importeve të karburanteve ka ardhur pothuajse plotësisht për shkak të rritjes së çmimit, ndërkohë që vëllimi fizik i importeve të karburanteve është rritur me vetëm 2% ndaj vitit të kaluar.

Shpërndarja e importeve sipas qëllimit të përdorimit nuk ka pësuar ndryshime të dukshme në krahasim me një vit më parë. Peshën më të madhe në vlerën e përgjithshme të importeve e zënë mallrat e ndërmjetëm, me 55% të totalit të importeve dhe një rritje vjetore prej 23%. Vlera e importeve të mallrave të konsumit ka shënuar një rritje të lehtë prej 6%, ndërkohë që pesha e këtyre importeve ndaj importeve të përgjithshme ka rënë në 31%, nga 34% në vitin 2007. Vlera e importeve të mallrave kapitalë, pavarësisht rritjes vjetore prej rreth 20%, përfaqëson vetëm 14% të vlerës së importeve të përgjithshme.

Importet drejt Shqipërisë, shumica nga vendet e BE-së

Shpërndarja gjeografike e importeve tregon se vendet e Bashkimit Evropian kanë qenë vendet e origjinës së rreth 60% të importeve të përgjithshme gjatë kësaj periudhe. Shkëmbimet tregtare me Italinë dhe Greqinë zënë peshën kryesore, duke përfaqësuar respektivisht 43 dhe 25% ndaj importeve nga vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, vihet re se importet nga vendet e rajonit kanë pësuar një rënie prej rreth 6%, kryesisht për shkak të rënies së dukshme të importeve nga Serbia. Megjithatë, shpenzimet për mallrat e ardhur nga Maqedonia dhe Kosova janë rritur me respektivisht 27 dhe 10%, duke bërë që pesha e këtyre dy vendeve ndaj tregtisë së zhvilluar me rajonin, të rritet.

Eksportet nga Shqipëria drejt pjesës tjetër të botës, gjatë nëntë muajve të vitit 2008, ishin rreth 20% më të larta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksportet nga industria e përpunimit aktiv, e cila prej vitesh ka përcaktuar profilin dhe përbërjen e eksporteve të vendit, janë rritur me rreth 6%, ndërkohë që të ardhurat nga kjo kategori eksportesh ndaj eksporteve të përgjithshme kanë shënuar nivelin 60%.

Vlera e eksporteve të brendshme ishte rreth 290 milionë euro dhe ka shënuar një rritje të ndjeshme vjetore prej 47%. Kërkesa e tregut të huaj për produktet minerale dhe metalet bazë ka ardhur në rritje, gjë që dëshmohet nga ritmet e larta të rritjes vjetore të vlerës së eksporteve të këtyre mallrave. Vlera e eksporteve të produkteve minerale vendase, të cilat përfaqësojnë rreth ½ e eksporteve të brendshme, është rritur me 50% gjatë këtij nëntëmujori. Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë rritja e eksporteve të lëndëve djegëse minerale si edhe të xeherorëve. gjithashtu, rritje e konsiderueshme është regjistruar edhe në eksportet e metaleve bazë, të cilat, gjatë kësaj periudhe, janë dyfishuar dhe përfaqësojnë rreth 30% të eksportit të brendshëm. Rritja në këtë grupmall ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së eksporteve të gizës dhe çelikut, të cilat gjatë kësaj periudhe kanë qenë rreth 7 herë më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ashtu si importet, edhe eksportet e Shqipërisë, drejtohen për nga vendet e BE-së, të cilat kanë siguruar rreth 80% të të ardhurave të përgjithshme nga eksportet e mallrave gjatë periudhës janar–shtator. Italia dhe Greqia mbeten partnerët tradicionalë edhe në eksportet e vendit, duke tërhequr përkatësisht 61 dhe 9% të eksporteve të përgjithshme. Eksportet drejt vendeve të rajonit kanë shënuar një rritje vjetore prej 30%. Eksportet drejt Kosovës kanë shënuar një rritje prej 46%, duke bërë që Kosova të renditet si partneri më i madh në rajon për sa u përket eksporteve, me rreth 6% të vlerës së përgjithshme të eksporteve dhe rreth 45% të eksporteve në vendet e rajonit.

BSH shpall në Vlorë fituesit e konkursit “Vlera e vërtetë parasë!”

Banka e Shqipërisë zhvilloi në datën 11 dhjetor fazën e parë e konkursit “Vlera e vërtetë parasë!” midis shkollave të mesme të rrethit të Vlorës, në ambientet e teatrit “Petro Marko”. Ky konkurs përbën një tjetër realizim konkret të programit të edukimit ekonomiko-financiar që Banka e Shqipërisë ka filluar të zbatojë, duke filluar nga viti i kaluar. Vitet e fundit, Banka e Shqipërisë gjithnjë e më shumë po i kushton vëmendje edukimit të publikut, duke ndërmarrë iniciativa për grupe interesi dhe grupmosha të ndryshme. Zhvillimi i kulturës ekonomike ndikon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe perceptimit të shoqërisë shqiptare për funksionimin e ekonomisë dhe rolin e Bankës së Shqipërisë në të. Në kuadër të memorandumit të nënshkruar midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, ky program edukimi tashmë ka fituar një status rajonal, ku përveç rrethit të Tiranës dhe të Vlorës, vitet e ardhshme do të gjejë shtrirje në gjithë rrethet e Shqipërisë. Në fazën e parë të konkursit të zhvilluar në rrethin e Vlorës morën pjesë 17 shkolla nga qyteti dhe fshatrat e këtij rrethi. Konkursi u organizua në tre panele konkurrimi, me një pjesëmarrje prej rreth 400 nxënësish dhe mësuesish. Konkursi ishte i ndërtuar mbi pyetje formuese në çështje që kanë të bëjnë me funksionin kryesor të Bankës Qendrore, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe hartimin e zbatimin e politikës monetare të saj. Në këtë formë, Banka e Shqipërisë synon jo vetëm që të njohë nxënësit me funksionet kryesore të saj dhe rolin që ajo luan në zhvillimin ekonomik të vendit, por njëkohësisht të përgatisë edhe bankierët e ardhshëm të Shqipërisë. Në përfundim të kësaj faze, u shpallën 3 skuadrat më të mira që grumbulluan më shumë pikë dhe ato ishin shkollat: “Ali Demi”, “Numër 1” dhe “Aulona”. Këto tre shkolla do të konkurrojnë midis tyre në fazën finale, që do të zhvillohet në 19 dhjetor 2008 në qytetin e Vlorës, aktivitet i cili do të transmetohet edhe në një televizion kombëtar. Konkursi është paraprirë nga një punë parapërgatitore disamujore e Bankës së Shqipërisë, e shtrirë në disa faza. Më konkretisht, pas lançimit të këtij programi nga ana e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në muajin qershor të këtij viti, puna ka vijuar me organizimin e trajnimeve për mësuesit e shkollave të mesme, e takimeve me nxënësit e shkollave të mesme, shpërndarjeve e broshurave edukative në shkolla etj. Banka e Shqipërisë falënderon edhe Drejtorinë Arsimore të rrethit të Vlorës për mbështetjen që i kanë dhënë asaj për realizimin e këtij programi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›