Ligji i dosjeve, Aldo Bumçi: Respekt ndaj viktimave të komunizmit
“Edi Rama, nip i persekutorit të intelektualëve”
“Ligji, respekt ndaj viktimave të komunizmit”
Qëllimi i PD-së, përmes ligjit të ri për hapjen e dosjeve, është largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë vegla të regjimit komunist dhe jo cenimi i gjyqësorit. Këtë siguri dha dje PD-ja përmes relatorit Aldo Bumçi, i cili reagoi pas akuzave të socialistëve, duke marrë në mbrojtje ligjin e ri për pastrimin e figurave të zyrtarëve dhe administratës publike. Ai akuzoi kryesocialistin Edi Rama si nip i një persekutori të byrosë politike që pushkatoi intelektualë të arsimuar në Perëndim. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, bëri të ditur se projektligji që do të votohet të hënën në Kuvend është një variant i ligjit çek, një nga më të mirët në fushën e lustracionit. Sipas tij, ky është një proces jetik në vendosjen e standardeve demokratike. Projekti, sqaroi Bumçi, nuk është një akt hakmarrjeje, por një akt respekti ndaj të gjitha viktimave të regjimit komunist, që u ekzekutuan, torturuan dhe vdiqën për të drejtat njerëzore. Po ashtu, ligji i ri në gjykimin e demokratëve është një detyrim madhor dhe historik ndaj kombit shqiptar". Duke reaguar ndaj deklaratave të opozitës, e cila u shpreh kundër këtij drafti, të miratuar pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, pa votat e saj, Bumçi pohoi se "Edi Rama nuk mund të votojë pro këtij projektligji, sepse ai është nip i një ish-anëtari të Byrosë Politike, i cili ka persekutuar me dhjetëra inxhinierë dhe intelektualë të shkolluar në Perëndim. “Ndaj dhe Edi Rama nuk mund ta votojë këtë projektligj, pasi është njësoj sikur të votojë kundër vetvetes", - deklaroi Aldo Bumçi. Para tri ditësh, Komisioni i Ligjeve kaloi nen për nen projektligjin e hapjes së dosjeve. Opozita preferoi të braktisë mbledhjen duke mos dhënë votën e saja s kundër dhe as pro megjithëse nga ky ligj “shpëtojnë” nga verifikimi dy nga figurat më të rëndësishme të saj, sicc është kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Rucci dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi. Megjithëse kjo shihet si konsensus politik nga ana e PD-së, PS akoma nuk ka premtuar votën e saj në Kuvend të hënën, por nga ana tjetër nuk ka bërë ndonjë propozim për mënyrën se si duhet të bëhet lustracioni apo kush nga zyrtarët duhet të verifikohet apo jo. Ish.zyrtarët komunistë që cilësohen të papajtueshëm, sipas projektligjit që u miratua në Komisionin e Ligjeve, janë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, kryetar i Gjykatës së Lartë, zv.kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, zv.prokuror i Përgjithshëm, ministër i Punëve të Brendshme, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, etj. Periudha e shërbimit ka të bëjë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990.
PS: Hapja e dosjeve synon prekjen e prokurorisë
Partia Socialiste vazhdon të mbajë qëndrim kundër hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Tashmë së fundit ajo po mbron pretendimin se me këtë ligj po tentohet prekja e institucioneve të pavarura si prokuroria dhe gjykatat. Madje, PS mendon se projektligji i dosjeve nuk do të hapë dosjet për zyrtarët e lartë, po thjesht synon të bllokojë dosjet për çështjen “Basha”, “Gërdecin” dhe çështjen “Damir Fazlliç”. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, theksoi dje gjatë një konference për shtyp se “ligji i famshëm i dosjeve nuk synon të hapë dosjet për zyrtarë të lartë, as për ata që kanë punuar për agjenturat e huaja në Shqipëri, por synon thjesht dhe vetëm pastrimin, apo shtetëzimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese, që është Prokuroria dhe gjykatat, në shërbim të dosjes “Basha”, dosjes së Gërdecit dhe dosjes së Damir Fazlliçit”. Zëdhënësi i grupit kuvendor të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, theksoi se "projektligji nuk është një akt hakmarrjeje, por një akt respekti ndaj të gjitha viktimave të regjimit komunist, që u ekzekutuan, torturuan dhe vdiqën për të drejta njerëzore. Po ashtu, ai është një detyrim madhor dhe historik ndaj kombit shqiptar".
Zyrtarët komunistë që cilësohen të papajtueshëm sipas projektligjit që u miratua në Komisionin e Ligjeve
Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike
Anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së
Kryetar i Gjykatës së Lartë
Zv.kryetar i Gjykatës së Lartë
Prokuror i Përgjithshëm
Zv.prokuror i Përgjithshëm
Ministër i Punëve të Brendshme
Zëvendësministër i Punëve të Brendshme
Drejtori i Përgjithshëm i Hetuesisë
Çdo punonjës i organizatave të Sigurimit
Bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit
Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve
Hetues, prokuror apo ndihmësprokuror
Gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në proceset politike
Denoncues apo dëshmitar i akuzës në gjyqet politike.
Periudha e shërbimit nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990
Cilët nga zyrtarët e sotëm do të verifikohen nga Komisioni i Posaçëm
Të gjithë zyrtarët e emëruar nga Presidenti i Republikës
Të gjithë zyrtarët e emëruar nga Kuvendi duke filluar nga Presidenti, Këshilli i Ministrave etj.
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë
Të zgjedhurit nga Kuvendi
Anëtarët e Këshillit të Ministrave
Zëvendësministrat
Sekretarët e përgjithshëm
Funksionarët politikë
Drejtorët e përgjithshëm
Drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive
Funksionarë të lartë të Presidencës
Administratës së Kuvendit
Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Gjykatës së Lartë
Gjykatës Kushtetuese
Prokurorisë së Përgjithshme
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë
Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë
Oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”
Prefektët
Kryetarët e këshillave të qarkut
Kryetarët e bashkive dhe komunave
Anëtarët e këshillave të qarkut
Anëtarët e këshillave bashkiake.