E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Tremujori i parë 2010, inflacioni mbi objektivin

Raporti i fundit i Politikës monetare të Bankës së Shqipërisë për tremujorin rezulton me një rritje mbi objektivin e BSH-së lidhur me inflacionin. Sipas raportit të BSH-së, inflacioni vjetor i tremujorit të parë të vitit 2010 rezultoi 4.1 për qind, duke qëndruar 0.1 pikë përqindje më lart se kufiri i sipërm i tolerancës rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Faktorë të ofertës me ndikim të përkohshëm rritja e çmimit të administruar të energjisë elektrike, oferta e kufizuar vendase e prodhimit bujqësor, krahas nënçmimit të kursit të këmbimit dhe prirjes në rritje të çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar ishin përcaktuesit kryesorë në vijimin e tendencës rritëse të normës së inflacionit edhe në muajt e parë të vitit. Niveli i ulët i inflacionit bazë dhe i atij të mallrave të patregtueshme dëshmojnë për presione të ulëta inflacioniste nga ana e kërkesës së brendshme. Gjithashtu, ekspansioni i ngadaltë monetar gjatë vitit të kaluar mbështet vlerësimin për presione të dobëta inflacioniste me natyrë monetare. Inflacioni mesatar vjetor në këtë tremujor rezultoi 2.8 për qind, duke u rritur me 0.6 pikë përqindje ndaj nivelit të fundit të vitit 2009. Prirja në rritje e këtij treguesi dëshmon për efektin rritës të bazës në krahasim me nivelin e ulët të çmimeve të një viti më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›