E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasat fiskale, transmetimi i të dhënave me satelit

Fiskalizimi Udhëzimi i ri shmang abuzimet. Ndryshimet kryesore për karburantet

Del udhëzimi i katërt për kasat fiskale, duke rrezikuar të çorientojë edhe një herë shoqëritë private që merren me këtë proces. Referuar ndryshimeve të fundit, të pritshme për shkak të VKM-së, sistemi i transmetimit të të dhënave tashmë realizohet nëpërmjet satelitit me GPRS dhe jo nëpërmjet modemit. Kjo rrit sigurinë dhe vazhdimësinë në transmetimin e të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që me sistemin e mëparshëm nuk ishte e mundur. Sistemi i ri eliminon manipulimet që u vunë re tek sistemi i mëparshëm, duke i bërë pajisjet fiskale më të besueshme, thotë një burim zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave.

Në udhëzimin e ri parashikohen gjithashtu qartë rastet e kthimit të mallit, transferimit dhe qarkullimit nga një depozitë në tjetrën, duke i dhënë mundësinë shoqërive të mos penalizohen në rast se kryejnë një nga procedurat e mësipërme. Sa i takon certifikimit të pajisjeve fiskale në pikat e karburantit, ato do të bëhen tashmë jo vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, por dhe nga një komision i posaçëm i ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, i cili do të verifikojë rast pas rasti përputhshmërinë e fiskalizimit me kuadrin ligjor në fuqi. Vetëm mbas certifikimit nga ky komision, atëherë sistemi do të quhet funksional dhe subjekti nuk do të penalizohet.

Referuar portalit të karburant.com, “shoqëritë e shitjes me shumicë të karburanteve do të jenë plotësisht të fiskalizuara duke pasur parasysh se në udhëzim parashikohet një kapitull i veçantë për këto shoqëri. Gjithashtu risia e këtij udhëzimi është fakti se parashikohet që në rastin e importimit të karburanteve me autobote, këto të fundit duhet të jenë pajisur me pajisje fiskale (kur shkarkimi nuk do të bëhet në magazinën doganore). Po ashtu, llogaritja e sasisë së shitur të karburantit do të kryhet në 150C, kërkesë e parashikuar në ligjin nr. 8976, 2002 mbi akcizat”.

Ndryshimi i udhëzimit erdhi pas rasteve të spekulimit nga biznesi, në bashkëpunim me disa nga shoqëritë e autorizuara të kasave fiskale. Pavarësisht ndryshimeve, sërish ka shoqëri kasash që abuzojnë me sistemin, ndërsa tatimet kanë nisur verifikimin në terren.

Referuar afateve, biznesi me TVSH duhet të pajiset me kasë fiskale brenda datës 31 maj 2010, në të kundërt do të ndëshkohet me gjoba që shkojnë deri në 100 mijë lekë, e deri në mbyllje të aktivitetit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›