Pele: Duel mes Ronaldos e Mesit
Pele është i sigurt: titulli prestigjioz "Topi i Artë" do të jetë një duel i hapur deri në fund, ndërmjet Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos. Duke folur për të përditshmen spanjolle "As", legjenda e futbollit botëror, që aktualisht po promovon Botërorin 2014 në Brazil, deklaroi: "Sigurisht, nëse do të kisha mundësia t‘ia jepja disa futbollistëve do të fusja në listë Torresin, Kasiljasin, Mesin dhe Kristiano Ronaldon. Por, vitin e kaluar, kur ‘Topi i Artë‘ u fitua nga Kaka, pas tij në garë ishin Mesi dhe Kristiano (Ronaldo) dhe besoj se këtë vit fitues do të zgjidhjet pikërisht njëri prej këtyre dyve". "O Rei" foli edhe për përkufizimin që Diego Maradona i ka bërë Mesit. Ai e ka quajtur yllin e Barcelonës "chupón", ose ndryshe person të dashuruar me topin. "Ky është mendimi i tij, vazhdoi Pele. Megjithatë, është normale që lojtari më i mirë i një skuadre ta mbajë topin nëpër këmbë më shumë se të tjerët. Kjo ka ndodhur me mua, me Johan Krujfin, madje edhe me vetë Maradonën". Në fund, ai tha se Spanja është një prej kandidateve më të forta për të fituar Botërorin 2010.