E Hënë, 2 Nëntor 2026

BSH cakton monedhat “kujtim” për 2005

11/03/2005  85-vjetori i kryeqytetit do të kujtohet dhe nga Banka e Shqipërisë me dy monedha numizmatike, të cilat do t’i japin vlerë kësaj date. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të emetojë dy monedha numizmatike si kujtim i përvjetorit të kryeqytetit, të cilat do të hyjnë në fondin e monedhave numizmatike që ka Banka e Shqipërisë. Kështu do të emetohen dy monedha 10-lekëshe, të cilat do të kenë si tematikë Tirana 85 vjet kryeqytet, 1920–2005, e cila do të jetë pa kurs ligjor. Monedha tjetër do të ketë tematikë “Objekte të trashëgimisë kulturore”, e cila ka lidhje me kostumet popullore në Shqipëri dhe do të jetë pa kurs ligjor. Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar dhe pamjet që do të ketë secila prej monedhave metalike në të dyja anët. Kështu për temën e parë, një faqe e monedhës do të ketë vlerën emërore “10 Lekë” sipër një pëllumb dhe të shkruar në hark poshtë “Tirana, 85 vjet kryeqytet” si dhe vitet “1920– 2005”. E njëjta monedhë në pamjen e pasme do të ketë në hark sipër të shkruar “SHQIPËRI – ALBANIA”, në hark poshtë vitin “2005” si dhe në mes të monedhës objekti “Varr monumental i qytetit të Tiranës”. Në monedhën e dytë, në pamjen kryesore të prerjes “10 Lekë”, do të ketë vlerën emërore “10 Lekë” si dhe të shkruar në hark sipër “Objekte të trashëgimisë kulturore”. Në pamjen pas: në hark sipër do të ketë të shkruar “SHQIPËRI – ALBANIA”, në hark poshtë vitin “2005” si dhe në mes të monedhës një kostum popullor.

Monedha e parë

“Tirana 85 vjet kryeqytet”

Monedha e dytë

“Objekte të trashëgimisë kulturore”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›