E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kriza e naftës, një litër prap 100 lekë

11/03/2005  Dje është vendosur çmimi rekord në bursat ndërkombëtare, një ton 520 dollarë

Një litër naftë në tregun vendës është shitur dje me 99 lekë, duke rikthyer plotësisht krizën e naftës në vend. Kriza ndërkombëtare e naftës është importuar dhe në Shqipëri nga tregtarët e karburanteve, të cilët kanë pranuar se, aktualisht, po reflektohet çmimi i lartë i tregjeve ku janë blerës. “Nafta ka shënuar dje çmimin rekord në vite, duke u shitur një ton me 520 dollarë dhe çmimi ka qenë pothuajse njëlloj në të dy bursat e Londrës dhe të Nju-Jorkut”, ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi. Për Nushin, rritja e çmimit me rreth 10 lekë brenda javës, ka qenë kryesisht prej faktorëve të jashtëm dhe duket se me këtë ritëm çmimi i naftës do rivendoset edhe njëherë në kufirin e 100 lekëve. “Askush nuk mund të japë një parashikim të saktë, nëse do të vazhdojë të rritet apo do të stopohet, por mund të thuhet se rritja në tregun ndërkombëtar nuk ishte e papritur dhe kishte ditë që çmimi rritej çdo ditë”, thotë Nushi. Kështu, nga 490 dollarë që ka qenë para dy javësh, çmimi është rritur periodikisht me 495 dollarë, derisa dje ka shënuar vlerën më të lartë të tij në dy vitet e fundit. “Një ton 520 dollarë është vlera më e lartë e parë ndonjëherë, sepse dhe në tetor në pikun e krizës nuk e kaloi 470 dollarë për ton”, thotë Viktor Nushi. Duket se çmimi prej 99 lekësh është i favorshëm për tregun vendës, pasi importuesit kanë përdorur deri më sot rezervat për të moslejuar një impakt të drejtpërdrejtë në treg. Por në rast se bursat ndërkombëtare do të vazhdojnë “lojën” e rritjes së çmimeve, dhe në tregun vendës do të shënohen rekorde. Kjo do të thotë që çmimi për një litër naftë të rritet mbi 100 lekë. “Me 520 dollarë në treg, po t’i shtosh edhe 100 që harxhohen rrugës për transport e taksa, atëherë kuptohet se sa shkon vlera e naftës në treg”, thotë Viktor Nushi. Duke iu referuar të dhënave, duket se në harkun kohor të një viti, çmimi i naftës në vend është rritur me 40 lekë. Në mars të 2004-ës, çmimi i një litri nafte në treg ishte 60 lekë. Një vit më pas, çmimi i tregut është i vendosur në vlerën e 100 lekëve, duke kërcënuar, madje, për një rritje të mëtejshme të tij. Këtë vlerë, çmimi i naftës e vendosi për disa ditë në tetor të 2004-ës, për t’u ulur më pas në dhjetor deri në nivelin e 85 lekëve për litër. Kështu duket se krizë tjetër po kërcënon jo vetëm sektorin e naftës, por dhe gjithë industritë që varen prej saj.

Çmimi i eurodiesel-it

105 lekë për litër

Çmimi i naftës D2

99 lekë për litër

Çmimi i naftës së “Armo”-s

88 lekë për litër

Akciza, importuesit kërkojnë ulje

Një sistem i ri akcize për karburantet pretendohej të sillte ulje të çmimit të karburanteve. Ngrirja e akcizës dhe vendosja e limiteve 13 dhe 27 lekë për litër, u komentua si një ulje e akcizës për karburantet nga ana e qeverisë. Por duket se për importuesit, kjo metodë jep efekte negative sa më i lartë të jetë çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar. Konkretisht, 27 lekë për litër në momentin kur një ton naftë ka shkuar në 520 dollarë, do të thotë taksë më e lartë për importuesit dhe, rrjedhimisht çmim më i lartë në treg. „Vendosja e ngrirjes së akcizës sot kthehet në favor të rritjes së çmimit, prandaj ne kemi kërkuar që të ndryshohen këto vlera“, ka deklaruar Viktor Nushi. Importuesit janë të mendimit se një ulje e taksës së akcizës, do të ndihmonte në ruajtjen e çmimit të naftës në treg, pasi do të reduktonte impaktet negative që vijnë nga tregu ndërkombëtar. Drejtoria e Tatimeve ka vendosur akcizën për D2 taksën nga 11.2 lekë në 13 lekë, edhe pse për këtë tip nafte ndalohet importi. Kjo bëhet në një kohë, kur për naftën eurodiesel ose D1 akciza luhatet nga 13 lekë në 27 lekë në paketën e re fiskale. Kështu, në Buxhetin e Shtetit për 2005-ën, parashikohet një rritje e të ardhurave në masën 173 milionë lekë nga importi i naftës.

Tregjet, si ka evoluar çmimi i naftës

Çmimet e naftës sillen si çmimet e shumicës së mallrave të tjera në kohë mungese apo teprice. Cikli i çmimit të naftës mund të shtrihet deri në disa vjet, në përputhje me kërkesën si dhe ofertën që vjen nga OPEC-u, apo prodhues të tjerë. Çmimet e industrisë amerikane, pothuaj gjatë gjithë shekullit XX janë rregulluar nëpërmjet prodhimit apo kontrollit të çmimeve. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, çmimi i naftës ka qenë mesatarisht 19.61 USD/fuçi i rregulluar me inflacionin e dollarit të vitit 2000. Gjatë të njëjtës periudhë, çmimi mesatar për naftën e papërpunuar ka qenë rreth 15.25 USD/fuçi me çmimet e vitit 2000. Kjo do të thotë se vetëm në 50% të rasteve, në periudhën nga 1947 deri në 2003, çmimi i naftës ka kaluar vlerën 15.25 USD/fuçi. Deri më 28 mars 2000, kohë kur u vendos intervali 22-28 USD/fuçi i naftës së OPEC-ut, çmimi i naftës e ka kaluar vlerën 22 USD/fuçi vetëm në rastet e konflikteve apo luftërave në Lindjen e Mesme. Panorama afatgjatë është pak a shumë e njëjtë. Që prej 1869, çmimet e naftë së papërpunuar në Amerikë, të rregulluara me inflacionin, kanë qenë mesatarisht 18.43 USD/fuçi, krahasuar me 19.20 USD/fuçi, që ka qenë çmimi i naftës në botë. Gjatë periudhës 1948 deri në fundin e viteve ’60, çmimi i naftës së papërpunuar lëvizte midis vlerave 2.50 USD (vlerë e vitit 1948) dhe 3.00 USD/fuçi (vlerë e vitit 1957). Por në rast se e shohim situatën me vlerën e dollarit të vitit 1996, rezulton diçka tjetër. Me këtë vlerë dollari, çmimi duket se ka lëvizur midis vlerave 14-16 USD/fuçi. Rritja e çmimit nuk ishte gjë tjetër, veçse rikuperimi i inflacionit. Nga viti 1958 deri në 1970, çmimi qëndroi pa lëvizur në vlerën rreth 3 USD/fuçi, por me terma reale ky çmim rezulton të ketë rënë nga 15 USD në 12 USD/fuçi. Rënia e çmimit ishte akoma më e ndjeshme gjatë viteve ’71-’72, periudhë gjatë së cilës dollari amerikan u dobësua. Në 1972-in, çmimi i naftës së papërpunuar ishte rreth 3 USD/fuçi dhe në fund të 1974-ës çmimi u katërfishua, duke arritur në mbi 12 USD/fuçi. Prej 1974-ës deri në 1978, çmimi ruajti pak a shumë vlerën e tij, duke lëvizur midis 12.21 USD/fuçi dhe 13.55 USD/fuçi. Të rregulluara me inflacion, këto vlera janë konstante. Ngjarjet në Iran dhe Irak sollën një tjetër rritje të çmimit në 1979-ën dhe 1980. Revolucioni iranian çoi në humbjen e 2-2.5 milionë fuçi në ditë, nga nëntori 1978 deri në qershor 1979. Në 1980, si rezultat i luftës, prodhimi i Irakut ra me rreth 2.7 milionë fuçi në ditë dhe prodhimi i Iranit me rreth 600.000 fuçi në ditë. Kombinimi i këtyre dy faktorëve rezultoi në më shumë se dyfishimin e çmimit të naftës, nga 14 USD/fuçi në 1978-ën, në 35 USD/fuçi në 1981-shin. Nga mesi i vitit, çmimet e naftës kishin rënë nën 10 USD/fuçi. Një marrëveshje e OPEC-ut e dhjetorit 1986 për të vendosur çmimin 18 USD/fuçi, kishte marrë fund në janar 1987. Çmimet vazhdonin të ishin të paqëndrueshme. Çmimi i naftës së papërpunuar ndryshoi në 1990 falë mungesës së sigurisë që solli pushtimi i Kuvajtit nga Iraku dhe Lufta e Gjirit, por pas luftës filloi një erë e re për çmimin e naftës, e cila solli rënie të vazhdueshme të tij, rënie që vazhdoi deri në 1994-ën. Në 1994, çmimet e rregulluara me inflacionin kapën vlerat më të ulëta që prej 1973-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›