Punonjësit e ISHP, protestë për shtesën e rrogës
Bluzat e bardha të Institutit të Shëndetit Publik nuk kanë marrë ende shtesën e pagës. Ka qenë kjo arsyeja, e cila i ka shtyrë mjekët e laborantë të ISHP-së, që gjatë ditës së djeshme të protestojnë.
TIRANE - Bluzat e bardha të Institutit të Shëndetit Publik nuk kanë marrë ende shtesën e pagës. Ka qenë kjo arsyeja, e cila i ka shtyrë mjekë e laborantë të ISHP-së, që gjatë ditës së djeshme të protestojnë. Megjithëse vendimi i qeverisë ka hyrë në fuqi që me 1 korrik 2008-ë, kjo kategori punonjësish, ende nuk ka marrë rritjen e pagës prej 20%. Ata i kanë bërë apel institucioneve përgje-gjëse që ta zhbllokojnë këtë situatë, në të kundërt do ta bojkotojnë punën në ISHP edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Nuk marrin lekët
Vendimi ka hyrë në fuqi që me 1 korrik, por ndryshe nga kategoritë e tjera, llogaria bankare për personalin e Institutit të Shëndetit Publik nuk është shtuar me asnjë qindarkë. Megjithëse qeveria ka miratuar një shtesë page deri në 20%, ata vazhdojnë të marrin po aq lekë, sa merrnin përpara 1 korrikut, megjithëse kanë kaluar katër muaj, që nga koha kur ka hyrë në fuqi ky vendim. Ka qenë kjo arsyeja, për të cilën bluzat e bardha të ISHP-së, kanë pezulluar dje një orë punën dhe kanë protestuar për paratë e tyre. "Ka katër muaj që vendimi ka hyrë në fuqi, por neve ende nuk nuk e kanë dhënë shtesën prej 20%, - shprehet njëra prej laboranteve protestuese. -Ne nuk kërkojmë gjë tjetër, veçse të zbatohet vendimi i qeverisë", - thonë ato, të cilat shtojnë se nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh do të bojkotojnë punën edhe gjatë ditëve të tjera. Ndërsa Dritan Ulqinaku, përfaqësues i sindikatës së këtyre punonjësve i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të zbardhë vendimin e qeverisë. "Ne i kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë që të zbardhë sa më shpejt vendimin e qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi që me datë 1 korrik", - ka deklaruar Ulqinaku.
(a.s/Gazeta Shqiptare/Balkanweb)