BSH: Çmimet do të rriten, qeveria të marrë masa
“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, presionet nga ambienti i jashtëm në ekonominë vendase janë përkthyer kryesisht në rritjen e vazhduar të çmimeve të mallrave ushqimorë, të çmimeve të lëndëve të para dhe të çmimeve të naftës”, - tha saktësisht banka qendrore dje. Efektin më të madh në rritjen e çmimeve gjatë muajit që shkoi e kanë patur çmimet e ushqimeve të përpunuara dhe çmimi i energjisë elektrike. Banka e Shqipërisë shprehu edhe një shqetësim tjetër, duke thënë se deficiti i importeve me eksportet është bërë më i madh dhe në këtë rrijte të këtij deficiti ka ndikuar rritja e importeve në sasi shumë më të madhe sesa rritja e eksporteve. Gjithashtu, banka tha se financuesit kryesorë të këtij deficiti - dërgesat e emigrantëve - kanë pësuar rënie të ndjeshme. Këshilli mbikëqyrës saktësoi se zhvillimet aktuale në këtë deficit mund të shihen edhe si faktorë që mund të çojnë në një luhatshmëri më të madhe të kursit të këmbimit në një kohë të dytë. Banka e Shqipërisë i bëri thirrje qeverisë që të monitorojë dhe të marrë masa për të rritur prodhimin vendas dhe konkurrueshmërinë e bizneseve eksportuese. Sipas bankës, vetëm kjo do të ishte një zgjidhje e qartë dhe me efekte reale kohëgjata. Sipas saj, fakti që janë mbledhur në nivele të mira të ardhurat nuk është shqoruar me realizim të shpenzimeve nga ana e qeverisë dhe kjo ndikon në përkeqësimin e çmimeve. Banka vlerësoi po ashtu se ndërtimi është një sektor me rëndësi, por që po përjeton një gjendje rënieje në krahasim me vitet e shkuara. Banka e Shqipërisë vlerëson se, aktualisht, presionet nga ana e ofertës janë më të ndjeshme dhe mbizotërojnë ndaj atyre nga krahu i kërkesës. Sipas vlerësimeve të ndryshme, këto rreziqe do të vazhdojnë të jenë të pranishme brenda një periudhe afatmesme. Rritja e çmimeve të drithërave, të naftës dhe të mallrave të tjera bazë pritet të vazhdojë për një periudhë të pacaktuar. Nga ana tjetër, politika e pagave dhe taksave, ecuria e investimeve dhe pritjet e agjentëve ekonomikë në përgjithësi do të përcaktojnë ritmet e rritjes së kërkesës së brendshme.