Njësia e lojërave të fatit, Qeveria cakton pagat
TIRANË- Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme ka miratuar dhe një sërë ndryshimesh për përcaktimin e kategorive të reja të pagave për institucionin e Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit, institucion i krijuar së fundmi dhe Agjencinë e Trajtimit të Konçensioneve. Në zbatim të ligjit "Për lojërat e fatit, kazinot dhe hipodromët" është krijuar Njësia e Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Për nisjen e funksionimit të kësaj njësie, Ministria e Financave ka hartuar dhe vendimin konkret, ku dhe përcakton pagat për punonjësit e tij. Duke gjykuar misionin, kompetencat dhe veprimtarinë e institucionit kjo njësi futet në grupin e institucioneve të shkronjës "b" të ligjit, sipas të cilit përcaktohet se pozicioni titullar i institucionit përfshihet në kategorinë 2a, përgjegjës sektori në kategorinë 3a, pozicioni inspektor në kategorinë 3b dhe pozicioni specialistë përfshihet në kategorinë 4a. Gjithashtu vendimi i djeshëm i qeverisë ka të bëjë dhe me fillimin e aplikimit të shtesës për kushte pune për disa pozicione në Agjencinë e Trajtimit të Konçensioneve. Duke vlerësuar ndjeshmërinë e fushës ku vepron ky institucion, parashikohet që pozicioni titullar të aplikohet një shtesë page në masën 13 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa për pozicionet drejtor drejtorie dhe specialistë një shtesë page mujore me 10 mijë lë ketë reja. Edhe për këto kategori efektet financiare do të fillojnë që nga 1 janari i vitit 2008.