Zbulimet e naftës mund të jenë spekulime bursash
Vazhdimisht në internet publikohen lajme për zbulime miliarda dollarësh në nëntokën shqiptare, por shumë pak para gjenden realisht në terren
Lajmet se në nëntokën shqiptare ka naftë me bollëk, bënë shumë vetë euforikë mbi të ardhmen e vendit gjatë kohëve të fundit. "Ju mund të bëheni një vend i pasur me naftë si vendet e Gjirit Persik", komentoi një shqiptar që ka dhjetë vite që jeton në SHBA. Ai e kishte lexuar lajmin në internet dhe lajmi thoshte se "janë zbuluar 2.9 miliardë fuçi naftë në zonën nga Durrësi në Koplik". Duke qenë se çdo fuçi kushton mbi 100 dollarë, sasia e përgjithshme e parave është realisht e paimagjinueshme.
Kompania që publikoi zbulimin, është e listuar në bursën e Frankfurtit. "Ja pse duhet të investoni në kompaninë tonë", - thuhej në prezantimin e saj, duke paraqitur vlerësimin e pavarur për mundësinë që në zonën e saj të kërkimit, të gjendej naftë e gaz me bollëk.
"Vlerësimin e ka kryer kompania "Gustavson", një nga më të njohurat në këtë fushë", - thotë Fatbardh Ademi, Drejtor i Departamentit të Naftës në Agjencinë e Burimeve Natyrore në Tiranë. "Por ky është thjeshtë një vlerësim", vijon ai.
Bazuar në vlerësime të tilla, shumë kompani të huaja kanë shpuar nëntokën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Gjithsej janë kryer njëmbëdhjetë shpime në det dhe në tokë, por rezultati ka qenë i dobët. Kur kërkohet naftë, fillimisht kryhet një analizë gjeologjike për të parë nëse ka burim hidrokarburi në zonë. Më pas, një analizë sizmike vëren se ku mund të ketë gropë në nëntokë. Kur një e çarë në nëntokë vërehet, atëherë aludohet se ajo mund të përmbajë naftë ose gaz.
"Vlerësimi i fundit i "Gustavson" lidhet me faktin se ka ndryshuar modeli gjeologjik", thotë z. Ademi. "Nafta që ne kemi zbuluar deri më sot gjendet në thellësi relativisht të ulët. Ne besojmë se ajo që kemi zbuluar mund të jetë emigrim sedimentar dhe se burimi i këtij emigrimi gjendet në thellësi më të mëdha".
Kjo është një teori e vjetër, e cila thoshte se Shqipëria ndoshta lundron mbi naftë. Nafta e nëntokës shqiptare gjendet në një terren shumë të fragmentarizuar. Nxjerrja e saj kërkon hapjen e shumë puseve, kostoja është e lartë dhe probabiliteti i shpimit në vendin e gabuar përmban një nivel të lartë rreziku për investitorët. Pusi më i thellë ekzistues në Shqipëri gjendet pranë fshatit Mollas dhe është 3700 metra. Thellësia e zakonshme e puseve në Shqipëri është nga 500 në 1 mijë metra.
Kompanitë e huaja kanë shpenzuar 385 milionë dollarë në 11 projekte kërkimi në det e në tokë, në kërkim të burimit të madh të naftës sakaq të zbuluar. Kërkimet janë kryer në thellësi të mëdha, deri në 5 mijë metra, por rezultati ka qenë i dobët. Në kohën e komunizmit, në 30% të puseve të shpuara dilte naftë ose gaz.
Por gjërat po ndryshojnë
"Çmimet e larta të naftës në tregun ndërkombëtar kanë sjellë rritje të interesimit të kompanive të huaja për nëntokën shqiptare", - thotë Ademi. Dy burime nafte që u zbuluan gjatë viteve '90, një Berat dhe tjetri në detin Adriatik, nuk u vunë në shfrytëzim, sepse në atë kohë nuk kishte interes ekonomik. Por me çmimet e naftës që kanë arritur në 120 dollarë për fuçi, kompani të huaja kanë shprehur interesin për të parë mundësinë e fillimit të nxjerrjes së naftës në këto burime.
Gjatë vitit të kaluar, eksportet e naftës dhe produkteve të saj u rritën me 147%, duke arritur në 82 milionë dollarë. Fitimi neto për fuçitë e naftës së eksportuar u rrit nga 11.4 dollarë në tremujorin e parë të vitit 2007, në 24.8 dollarë për fuçi në tremujorin e fundit. Vetëm pak vite më parë, me naftën shqiptare mund të fitohej pesë dollarë për fuçi apo më pak. Edhe për produktet e tjera, rritja e çmimit po sjell fitime.
Kompania publike e naftës ARMO, përfitoi nga rritja e çmimeve gjatë vitit të kaluar. Mbi 30 milionë dollarë qenë të ardhurat vetëm nga eksportet e bitumit, koksit e solarit. Çmimi i bitumit p.sh., u rrit nga 157 dollarë për ton në vitin 2005, në 290 dollarë për ton në vitin 2007.
Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u nxorën 560 mijë tonë naftë. Kjo është një shifër katër herë më e ulët se rekordi historik i shënuar në vitet '80, kur u nxorën 2 milionë tonë, por prodhimi po rritet shpejt. Dy kompani të huaja pritet të fillojnë prodhimin në shkallë masive këtë vit. Sektori i naftës punon në bazë të një ligji të veçantë që thotë se kompanitë koncesionare duhet të paguajnë 50% në formë tatim-fitimi, ndërkohë që disa prej kompanive kanë marrëveshje për ndarjen e prodhimit me "Albpetrolin", gjë që do të thotë që 60 ose 70% e fitimeve do të mbesin në Shqipëri. Në vitet e ardhshme, të ardhurat nga sektori i naftës mund t'i japin buxhetit të shtetit disa dhjetëra milionë euro në vit. Në rast se prodhimi i naftës bruto arrin në 2 milionë tonë në vit, vendi mund të shpresojë për ndërtimin e një rafinerie të re, gjë që e kthen Shqipërinë në një prodhues dhe përpunues jo pak të rëndësishëm në Ballkan.
Rusia mund të lehtësojë krizën botërore të grurit
Rusia është vendi kryesor që ka kapacitete të gatshme për rritjen e shpejtë të prodhimit të grurit në botë, duke garantuar në të njëjtën kohë lehtësimin e krizës aktuale në tregun e drithit, bëri të ditur një analist i tregut, në një artikull të publikuar në "Financial Times".
"Zgjidhja e krizës aktuale nuk mund të kërkohet në vende si Australia apo Kanadaja, të cilat janë duke shfrytëzuar sakaq të gjitha kapacitetet e veta, por në vende si Rusia, Ukraina e Kazakistani, të cilat kanë shumë kapacitete të lira", - thuhet në analizë.
Rusia kishte 120 milionë hektarë tokë nën kultivim në vitin 1992. Kalimi nën pronësi private i tokës bëri që mekanika bujqësore të mos përdorej, fermerët të mos kishin mundësi financimi dhe për pasojë, prodhimi ra. Rreth 40 milionë hektarë tokë janë sot djerrë në këtë vend, ndërsa rendimenti i tokës ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Sot fermeri rus prodhon mesatarisht 2 tonë grurë për hektar, në një kohë që potenciali i tokës është për të prodhuar pesë ton.
"Rusia prodhoi 75 milionë tonë drithë në vitin 2007, por mund të shumëfishojë prodhimin deri në 300 milionë tonë pa shumë mundim, thjesht duke kthyer në punë tokën e lënë djerrë", - thotë eksperti.
Por kjo rritje prodhimi, kërkon investime të planifikuara afatgjatë dhe krijimin e kooperativave bujqësore. Për më tepër, për të marrë rendiment më të lartë nga toka, duhet të investohet në mbjelljen me radhë të kulturave, proces që kërkon 4-6 vite. Çmimi i grurit pritet të mbetet i lartë edhe për disa vite, gjithsesi.
Dollari rritet, nafta ulet
Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar pësoi ulje të konsiderueshme gjatë ditëve të fundit, duke lajmëruar njëkohësisht faktin se çmimi prej 120 dollarësh për fuçi qe abuziv si dhe pritshmërinë e tregjeve për forcim të dollarit amerikan. Në bursën e Londrës, çmimi i naftës ra dje në 111 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga 14 prilli. Edhe dollari amerikan u forcua kundrejt euros dhe jenit japonez dje si pasojë e faktit se Rezervat Federale bënë të ditur se janë realisht të shqetësuar për monedhën amerikane. Rezervat Federale ulën interesin bazë në ekonominë amerikane në 2% nga 2.25% që ishte më parë. Çmimi i naftës lidhet ngushtë me vlerën e dollarit amerikan. Sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEK, sa herë që dollari dobësohet me 1%, çmimi i naftës rritet me 4 dollarë për fuçi dhe anasjelltas. Rënia e çmimit të naftës lidhet ngushtë edhe me vështirësitë ekonomike në SHBA dhe BE. Sipas analistëve, çmimet e larta të benzinës dhe vështirësitë ekonomike i kanë detyruar amerikanët të udhëtojnë më pak, gjë që nënkupton ulje të shpejtë të kërkesës.