E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Më 10 maj nisin protestat kundër puçit kushtetues

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje, se më 10 maj nisin protestat për ndryshimet kushtetuese. Ai organizoi dje në mesditë mbledhjen e radhës me kryetarët e rretheve të LSI. Gjatë këtij takimi organizativ, duke folur përpara kryetarëve të rretheve, kreu i LSI, z. Meta, tha se aktualisht vendi po kalon situatën më kritike në dhjetë vitet e fundit pas ’97. Sipas tij, për të shpëtuar Kushtetutën, Shqipëria do të ngrihet në protestë kundër puçit, më 10 maj. “Vendi është në situatën më kritike që nga ’97, ndaj më 10 maj Shqipëria do të ngrihet kundër puçit”, - deklaroi Meta në takimin me krerët e LSI në rrethe. Gjithashtu, sipas tij, opozita e vërtetë nuk do të bashkohet me Berishën në asnjë rast, por do të bashkohet në një forcë të vetme dhe të vrullshme kundër puçit të organizuar nga lidershipi i dy partive të mëdha, PS-PD. “Të kapurit do t’i mbeten në dorë Saliut. Saliu nuk e kap dot opozitën, pasi me ne janë të gjithë shqiptarët e ndershëm. Me ne nuk janë vetëm të kapurit, ndaj fitorja jonë është fitorja e demokracisë dhe nuk do të ndalet nga askush”, - shtoi kreu i LSI gjatë fjalës së tij.

Meta theksoi në takim se më 10 maj do të nisë uragani që nuk do ta ndalet deri në rrëzimin e puçit. “Më 10 maj nis uragani që s’ndalet deri në rrëzimin e puçit”, - u shpreh Meta. Ndër të tjera, Meta deklaroi se, “përtej të majtës dhe të djathtës është oligarkia”.

Në një njoftim të LSI thuhet se krerët e kësaj partie në të gjithë vendin shprehën gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre kundër ndryshimeve kushtetuese dhe hyrjes së tyre në fuqi. Ata deklaruan se do të mbështesin dhe të bashkohen në thirrjet për referendum dhe do të marrin pjesë në mitingun e 10 majit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›