BSH nxjerr në shitje 20.8 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi dje për shitje me ankand 20.8 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 30 mars, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 12 dhe 3-mujor, me vlerë 7,600,000,000 lekë dhe 13,200,000,000 lekë, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen përkatësisht në datat 30.03.2011 dhe 30.06.2010. Në ankandin e fundit të BSH-së u shitën bono thesari me maturim 3-mujor, me një vlerë totale prej 3.3 miliardë lekësh. Bonot e thesarit janë letra me vlerë, që qeveria ua merr hua investitorëve publikë dhe privatë. Duke qenë se janë detyrim i drejtpërdrejtë i qeverisë, ato njihen si letra me vlerë me rrezik zero. Aktualisht, bonot emetohen në monedhën kombëtare lekë. Ato kanë afate maturimi tre, gjashtë, dymbëdhjetëmujore dhe së fundmi edhe 5-vjeçare dhe shiten nëpërmjet ankandeve të organizuara nga BSH-ja. Në ankandin për bono thesari mund të marrë pjesë çdo individ, biznes apo bankë. Bonot e thesarit, aktualisht janë i vetmi mjet i tregtueshëm në të cilin bankat mund të investojnë.