E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Një bursë evropiane për të bërë aktive Bursën e Tiranës

Sistemi bankar shqiptar mund të marrë 20-30% të paketës

Biznesi shqiptar është ende larg idesë se listimi i tyre në bursë (apo tregun e kapitaleve) do të ishte një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar më tej sipërmarrjen e tyre. Ndonëse në parim në Shqipëri bursa ka vite që ekziston, ajo asnjëherë nuk është bërë efektive. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe i Energjetikës ka deklaruar dje për median se Bursa e Tiranës brenda vitit pritet të marr udhë për tu bërë aktive e për tu vënë në shërbim të shoqërive aksionere. Kreu i METE-s ka bërë të ditur se në muajt e fundit janë bërë konsultime me ekspertë dhe organizma të huaj për mundësinë e bërjes efektive të Bursës së Tiranës. Madje, qeveria ka gati një skemë që pritet ta zbatojë për të vënë në funksion bursën në Shqipëri, duke ia dhëna atë një investitori strategjik evropian. Por jo vetëm kaq, qeveria në planin e saj parashikon që të bëjë pjesë të kësaj burse edhe sistemin bankar shqiptar, duke i dhënë atij një pjesë të paketës kontrolluese. Ministri Prifti ka deklaruar se qeveria mendon të zgjedhë një investitor strategjik ose një bursë evropiane që do të marrë paketën kontrolluese të Bursës së Tiranës, po gjithashtu është gjykuar që i duhet lënë një hapësirë edhe sistemit bankar shqiptar, rreth 20-30 për qind të paketës, që ata të jenë dhe bashkëpronarë dhe bashkëfinancues. Në këtë mënyrë, biznesi shqiptar ka mundësi listimi në bursën vendase, mundësi e cila deri më tash është shfrytëzuar vetëm në bursat e huaja. Me këtë lëvizje, Shqipëria, e cila është e vetmja në Ballkan që nuk ka bursën e saj, u bashkëngjitet vendeve në rajon në procesin e zhvillimit të tregut të kapitaleve. Duke qenë se tek ne tregu bankar nuk arrin të plotësojë kërkesën për kapital të bizneseve, bursa do të ishte një mundësi alternative shumë e mirë. Një nga arsyet e listimit në bursë të shoqërive është nevoja për të tërhequr financime nga publiku investues. Megjithatë, shumë pak shoqëri shqiptare janë realisht të gatshme apo të ndërgjegjshme të përballojnë këto kosto. Aktualisht në Shqipëri ekziston baza ligjore e nevojshme që mundëson listimin dhe operimin e ndërmjetësve financiarë në tregun e kapitalit. Bursa e Tiranës, në fakt, si institucion është krijuar rreth 10 vite më parë dhe misioni i saj është organizimi dhe zhvillimi i tregut të letrave me vlerë në Shqipëri, duke krijuar kushtet më të favorshme për emetuesit, investitorët dhe ndërmjetësit financiarë, për shfrytëzimin sa më efiçent të tregut të kapitaleve. Por deri më tani kjo bursë nuk ka qenë asnjëherë aktive dhe të bëjë të mundur listimin e shoqërive shqiptare në të. Bursa e Tiranës, si një institucion i krijuar që në vitin 2002, është i vetmi treg i organizuar i titujve në Shqipëri. Në korrik 2007, Bursa e Tiranës u licencua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me licencën pa afat për ushtrimin e veprimtarisë së saj si treg i organizuar i titujve në Republikën e Shqipërisë. Prania e një tregu kapital vendas aktiv dhe efiçent do tu jepte kompanive alternativen për rritjen e kapitalit, duke kuptuar përfitimet reale që sjell tregu i kapitaleve. Një treg kapitali aktiv dhe efiçent do të zgjeronte tregun e kapitalit në Shqipëri, duke ofruar mundësi të ndryshme investimi dhe do të siguronte mekanizma të çmimit efiçent dhe transparent, si dhe do të rritej aksesi në financim për kompanitë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›