Grupi i Alpha Bank, fitim neto 392 milionë euro në 2009-n
Z. Yannis S. Costopoulos, Presidenti i grupit theksoi: Në 2009-n, Alpha Bank u përball me sfidat e ambientit ekonomik me largpamësi dhe kompetencë. Suksesi i lëshimit të të drejtave me vlerë në shumën prej 982 milionë eurosh ka forcuar ndjeshëm bilancin si edhe ka rritur besimin tonë për të përballuar ndikimin e kushteve të vazhdueshme të vështira makroekonomike në tregun grek. Prezantimi i një programi të rreptë për konsolidimin fiskal mund të ndikojë negativisht në rritjen për një afat të shkurtër, por ne jemi të sigurt që do të sjellë përfitime afatmesme të përhershme për ekonominë greke dhe për perspektivat tona të biznesit në të gjithë Evropën Juglindore. Për sa i takon Shqipërisë, depozitat arritën vlerën e 375 milionë eurove dhe kreditimi u rrit duke kapur një vëllim portofoli prej 335 milionë eurosh. Fitimi neto në fund të vitit 2009 shënoi vlerën e 6.481 milionë eurove. Alpha Bank në Shqipëri operon me 47 degë në të gjithë vendin dhe gjithashtu ka prezencë në qendra të rëndësishme tregtare të ngritura kohët e fundit. Një rrjet prej 62 bankomatesh dhe mbi 1,100 aparate të pranimit të pagesave me kartë mbështesin biznesin e kartave të debitit dhe të kreditit. Gjatë 2009-s, banka rriti bazën e saj të klientëve individë dhe biznese me 58%. Kreditë për individët dhe biznesin e vogël patën rritje dhe po ashtu depozitat e këtij segmenti (19%), krahasuar me fundvitin 2008. Fokusi kryesor i bankës për 2010-n është biznesi me pakicë, me vëmendje të fuqishme tek shërbimi i shkëlqyer ndaj klientit, produkteve të përshtatura për konsumatorin dhe hyrja e tyre me lehtësi në të gjitha kanalet e shpërndarjes. Z. Mantzounis, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Alpha Bank, deklaroi: Në fillim të 2010-s, qëllimi ynë kryesor është të adresojmë ndikimin afatshkurtër të krizës së borxhit të qeverisë greke në fonderimin tonë margjinal. Ne gjithashtu duhet të drejtojmë me efikasitet efektet e masave të rrepta që qeveria greke ka ndërmarrë, të cilat mund të ulin mundësitë e klientëve për të përmbushur detyrimet e tyre për shlyerjen e kredive.