E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH rregullore te re per mbrojtjen e bankave

Bankat që operojnë në vend tashmë do të kenë mbështetjen e Bankës Qëndrore nëse do të kenë mungesë likuiditeti. Për të marrë masa paraprake ndaj efekteve të krizës financiare në Europë dhe mbrojtjen e instituteve në vend, Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një rregullore të re, e cila pritet të hyj në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Në rregulloren e re të BSH “për kredinë për mbështetje me likuiditet” është parashikuar që instituteve kredituese tu jepet kredi deri në tre muaj më një normë më të lartë interesi se norma bazë e saj. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kushteve për dhënien e kredisë për mbështetje me likuiditet për një bankë që ka mungesë të përkohshme likuiditeti, por që është financiarisht e qëndrueshme. Kjo kredi është plotësisht e garantuar, ku si mjete për garantimin e saj përdoren instrumentet e titujve në lekë ose në valutë të emetuar ose të garantuar nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, si dhe titujt në lekë të emetuar nga organet e pushtetit vendor e të garantuar nga ekzekutivi shqiptar. Kredia për mbështetje me likuiditet” është një mjet mbështetës që Banka e Shqipërisë mund të përdorë për plotësimin e nevojave afatshkurtra për kapital të sistemit bankar. Për të aplikuar për marrjen e kësaj kredia bankat duhet të paraqesin një raport mbi gjendjen e likuiditetit dhe shkaqet e mungesës së kapitalit, një listë të garancive të zotëruara për sigurimin e kredisë si dhe planveprimin për daljen nga situata e mungesës së likuiditetit. Kredia mund të jetë e formës hua e kolaterizuar ose në formën e një marrëveshje riblerjeje.

Gjithsesi në daljen e fundit publike guvernatori i BSH, Ardian Fullani garantoi se aktualshit sistemi bankar në vend është i mirëkapitalizuar dhe i konsoliduar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›