Papunesia ende problem ne SHBA

Zhgënjejnë të dhënat mbi punësimin në SHBA për muajin prill. Nga të dhënat e Departamentit të Punës në muajin e kaluar janë hapur më pak vende pune sesa parashikimet duke shfaqur një ngadalësim të rimeve të rritjes ekonomike për ekonominë më të madhe të botës e duke shtuar presionet mbi administratën Obama në vitin e zgjedhjeve presidenciale. Në muajin prill shtimi i personelit ka arritur në 115 mijë nga 162 mijë të parashikuar. Bizneset kanë punësuar 130 mijë punonjës nga 167 mijë që priteshin nga departamenti. Gjithsesi norma e papunësisë ka shkuar në 8,1% nga 8,2% në muajin mars. Ndërkohë që problemi i vërtetë për qeverinë janë numri i personave të zhgënjyer të cilët nuk bëjnë më pjesë në forcën e punës. Amerikanët e përjashtuar nga ky grup janë shtuar ne më shumë se 522 mijë njësi. Ngadalësimi i ritmeve të rritjes së numrit të të punësuarve e shkaktuar nga një ulje e besimit të kompanive dhe ndërmarrjeve, rrezikon shtimin e pagave të nevojshme për të rritur konsumin, që përbën rreth 70% të ekonomisë amerikane. Norma e punësimit është vërejtur më tepër në sektorët e shërbimeve profesionale, në sektorin e shitjeve, në atë shëndetësor, ndërkohë që ka vijuar me një trend në rënie punësimi në sektorin e transporteve. Numri total i të papunëve në SHBA ka arritur në 12,5 milionë. Autoritetet e politikës monetare të Rezervës Federale kanë vendosur ta mbajnë normën bazë të interesit të pandryshuar për shkak të nivelit të lartë të papunësisë. Deri në vitin 2014 norma bazë e dollarit do të qëndrojë në nivelin më të ulët historik mes 0 dhe 0,25%.