E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH rrit transparencën, konferencë për politikën monetare

BSH rrit transparencën, konferencë për politikën monetare

Banka e Shqipërisë njoftoi se ka vendosur një praktikë të re, duke filluar nga muaji korrik, për të rritur transparencën e institucionit dhe për informimin më të rregullt të publikut mbi vendimet e politikës monetare.

"Mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të dedikuara vendimeve të politikës monetare, do të shoqërohen me një konferencë për shtyp të kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani", thuhet në njoftimin për shtyp.

"Ky vendim i Bankës së Shqipërisë synon rritjen e transparencës dhe përmirësimin e komunikimit të saj me publikun. Ai përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të zbatimit të standardeve moderne të bankave qendrore në fushën e transparencës", thuhet më tej në deklaratë.

Banka e Shqipërisë u kritikua për qëndrim jokorrekt dhe jo mjafueshmërisht transparent kundrejt publikut gjatë muajve të fundit, kur ndryshimi i politikës monetare nuk u shoqërua me njoftim për shtyp. Politika monetare konsiston veçanërisht në sasinë e lekut shqiptar në qarkullim, gjë që përcakton edhe ecurinë e kursit të këmbimit të lekut kundrejt valutave të huaja, si edhe një pjesë të ecurisë së indeksit të kursit të këmbimit.

Gjatë muajve të fundit, leku shqiptar në qarkullim është rritur me rreth 35 për qind, një rritje kjo e paparë prej shumë vitesh. BSH-ja qëndroi pasive gjatë muajit mars, kur leku shqiptar humbi rreth 6 për qind të vlerës kundrejt euros. Ajo e kritikoi disa herë qeverinë për shpenzime të tepruara dhe të pambështetura në të ardhura gjatë vitit të fundit, por nuk përmendi publikisht se i ka akorduar Ministrisë së Financave kredi direkte, gjë që e bën për herë të parë që nga viti 2002.

Kreditimi në Shqipëri sipas llojit të kredimarrësit në mijë lekë
Janar Shkurt Mars Prill Maj Totali
Individë 4,681,258 5,893,403 5,211,600 6,379,350 6,222,018 28,387,629
Biznese 9,645,884 20,643,191 21,246,791 17,928,231 14,216,233 83,680,329
2008 14,327,142 26,536,595 26,458,390 24,307,581 20,438,250 112,067,958
Individë 2,933,979 3,339,440 4,415,738 3,728,197 3,123,118 17,540,472
Biznese 12,937,331 14,483,635 16,411,588 16,334,288 14,286,885 74,453,726
2009 15,871,310 17,823,075 20,827,325 20,062,485 17,410,003 91,994,199



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›