E Shtunë, 31 Tetor 2026

Individët, më të persekutuar nga bankat

Bankat në Shqipëri duket se po besojnë më shumë te bizneset se sa tek individët në aktivitetin e tyre të kredidhënies, bëhet e ditur nga një artikull i publikuar te revista zyrtare e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Dhoma Amerikane u bëri kështu thirrje bankave të "kenë më shumë besim te biznesi" dhe ta kreditojnë atë, për shkak se sipas analizave të saj, kredia e keqe në vend po rritet përgjithësisht nga kredimarrësit individualë dhe jo nga ata të biznesit.

Shumë shoqata biznesi janë ankuar gjatë kohëve të fundit për "bllokim të aktivitetit kreditues nga ana e bankave" dhe disa shoqata kanë organizuar takime të drejtpërdrejta me bankierët. Shoqata e Ndërtuesve, Dhoma Amerikane e grupime të tjera biznesi thonë se ashpërsimi i kushteve të kredidhënies nga ana e bankave po ia vështirëson situatën në kohë krize.

Individët, më të penalizuar

Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, bankat në Shqipëri akorduan 92 miliardë lekë kredi të re (708 milionë euro), me rënie rreth 18 për qind kundrejt periudhës janar-maj 2008. Por, kredia për individët u tkurr me 38 për qind, ndërsa ajo për bizneset vetëm 11 për qind. Sektori i ndërtimit duket se u godit nga dy anë. Nga njëra anë, kredia e disponueshme për kompanitë e ndërtimit u zvogëlua si pasojë e përpjekjeve të bankave për të diversifikuar rrezikun dhe për t‘u larguar nga ky sektor dhe, nga ana tjetër, kredia e disponueshme për blerje banese nga individët u tkurr në mënyrë dramatike, gjë që zvogëloi xhiron e përgjithshme të kompanive të ndërtimit.

Kreditimi i individëve filloi relativisht vonë në Shqipëri, por gjatë pesë viteve të fundit bankat arritën të krijojnë një portofol prej 1 miliard eurosh kredi. Nga këto, rreth 77 për qind, ose 720 milionë euro u përkasin kredive afatgjata të dhëna për shtëpi. Kredia e re për prona të patundshme u pakësua me tri herë gjatë pesëmujorit.

Zyrat e përmbarimit në të gjithë Shqipërinë kanë raportuar dyfishim të kërkesave të bankave në lidhje me përndjekjen e kredimarrësve të parregullt, përgjithësisht atyre që i përkasin linjës së kredive konsumatore.

Por situata është drejt stabilizimit

Ecuria e kreditimit nga muaji në muaj tregon se situata është drejt stabilizimit për sa u përket kredive për biznes, por kredia mbetet jashtëzakonisht e paktë për individët. Kriza e mungesës së kreditimit në Shqipëri filloi realisht në muajin shkurt, kur sasia e kredisë së re ra papritur me 33 për qind në bazë vjetore. Ritmi i rënies u zvogëlua në muajt në vijim për kreditë për biznes, ndërsa erdhi në përkeqësim për kredimarrësin individual. Në maj, sasia e kredisë së re për biznesin ishte në të njëjtin nivel, ndërsa ajo për individët, ishte e përgjysmuar në krahasim me majin 2008.

Kreditimi i ekonomisë ka qenë shkaku kryesor i rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë gjashtë viteve të fundit. Duke filluar nga viti 2004, kur mori fund procesi i privatizimit të bankave shtetërore, portofoli i kredive u rrit me mbi 50 për qind në vit, shifër kjo e konsideruar si stratosferike. Konkurrenca e madhe për të kapur klientët afatgjatë i shtyu bankat të ulin interesat, por edhe të zbatojnë kontrata të hapura që krijojnë hapësirë për ndryshim kushtesh në të ardhmen. Bankat nxituan të kapin klientët që dëshirojnë të blejnë prona të paluajtshme, të cilët do të mbeten klientë të bankave për një apo dy dekada radhazi, duke krijuar kështu një biznes afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Rreth 40 për qind e kredive të dhëna në Shqipëri janë destinuar për blerje pronash të patundshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›