BSH zhvillon konkursin “Vlera e vërtetë e parasë!”
Konkursi është një prej aktiviteteve të përfshira në Memorandumin e Bashkëpunimit, të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Bankës së Shqipërisë, i cili synon të zgjerojë njohuritë e nxënësve rreth rolit të bankës qendrore në ekonominë e vendit si dhe të rrisë zhvillimin e kulturës ekonomike të vendit.Konkursi u zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, ku pjesëmarrës ishin 5 shkollat fituese në rang kombëtar: shkolla “Tirana Jonë” – Tiranë, shkolla “Themistokli Gërmenji – Korçë, shkolla “28 nëntori”- Shkodër, shkolla “Ali Demi” – Vlorë dhe shkolla “Siri Shapllo” – Gjirokastër. Ky konkurs u ndoq nga nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit si dhe familjarët e pjesëmarrësve. I pranishëm në këtë konkurs ishte edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, i cili përgëzoi Bankën e Shqipërisë për ndërmarrjen e një iniciative të tillë. Në hapjen e konkursit, Guvernatori Fullani u shpreh se: “Megjithëse çështjet që kanë lidhje me financat në dukje nuk përbëjnë rëndësi për grupmoshën tuaj, do të vijë një ditë që do t’ju duhet të administroni buxhetin tuaj dhe të familjes së ardhshme, apo të kurseni para për të investuar në të mira si shkollimi universitar dhe pasuniversitar, një makinë e re ose një shtëpi”, iu drejtua nxënësve guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani. Fituesja e fazës finale të konkursit u shpall shkolla e mesme “Themistokli Gërmenji” nga qyteti i Korçës. Për shkollën fituese, Banka e Shqipërisë ndau çmimin prej 100.000 lekësh, për secilin nga tre nxënësit e skuadrës fituese, çmim të cilin ata mund ta përdorin pasi të mbushin moshën 18 vjeç si një mbështetje financiare për studimet universitare.Në përfundim të konkursit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në cilësinë e Kryetarit të Jurisë, përgëzoi nxënësit dhe mësuesit e shkollave pjesëmarrëse si dhe Drejtoritë Arsimore të rretheve për mbështetjen që ata dhanë për realizimin e suksesshëm të këtij programi.