Ndërtuesit: Qeveria të ndalë sulmet mbi biznesin
Në një prononcim për mediat, kryetari i kësaj shoqate, Maksi Muçi deklaroi se përfaqësuesve të veçantë të biznesit po u bëhen etiketime të ndryshme për interesa të klimës së acaruar politike, dhe jo në rrugë korrekte, administrative dhe ligjore.“Mungon totalisht dëshira për zgjidhjen e problemeve, të cilat më shumë se tonat janë probleme ekonomike të vendit. Kërkojmë të ndërpritet arbitrariteti, dhe në mënyrë të prerë qëndrimi ndaj biznesit të jetë vetëm ligjor. Etiketimet politike dhe jo ligjore, dëmtojnë rëndë biznesin e klimën e tij, aq më tepër në kushtet e krizës reale”, deklaroi z. Muçi.“Në rast të mospërmbushjes së kërkesave tona, derdhjes së detyrimeve nga ana e qeverisë, do të propozojmë që shoqata të ndërmarrë masa për ndërprerjen e punës për një muaj në kantierët e ndërtimit”, theksoi kryetari i shoqatës së ndërtuesve.Ndërtuesit kërkuan gjithashtu që borxhi i prapambetur i këtij viti të merret në konsideratë për ndërtimin e objekteve të reja në vitin 2010. Ndërtuesit kërkuan gjithashtu funksionimin e Këshillave të Rregullimit të Territoreve nëpër bashki, si dhe miratimin e planit urbanistik për Tiranën.