E Shtunë, 31 Tetor 2026

BUJQESIA, "HAKMARRJA" NDAJ VEMENDJES SE MUNGUAR

Në kompleksitetin e kësaj krize globale botërore, ajo që duket më e vështirë, por dhe më e gjatë për t‘u stabilizuar, është mungesa në sasinë e kërkuar në tregjet lokale e ndërkombëtare e mjaft produkteve bazë agro-ushqimore dhe për pasojë çmimet e larta që nuk po njohin ndalje. Shifrat që kanë lidhje me këtë sektor dhe me llojin e ofertës së tij jetike për popullsinë e çdo vendi apo kontinenti, po bëhen gjithnjë e më alarmante. Tani është e kotë të bësh krahasimin e tendencës së çmimeve me 1 apo 2 vite përpara. Gjithçka reduktohet në javë e muaj kur është fjala për tendencat e çmimeve. Në shtypin ndërkombëtar tashmë gjen rëndom tituj të tillë si "çmimi i orizit që nga muaji janar i këtij viti u rrit me 63 për qind", "çmimi i grurit vetëm gjatë tri muajve të fundit u rrit 80 për qind" etj.

Banka Botërore dhe FMN-ja paralajmërojnë shfaqjen e krizave të urisë për qindra milionë njerëz, sidomos për vendet e varfra dhe ato në zhvillim dhe rrezikun se 36 vende të botës mund të bien në luftë civile...se do të duhen 7-10 vite që situata të normalizohet....se bota duhet ta harrojë kohën e ushqimeve me çmime të lira, etj. Kombet e Bashkuara, me zërin e "Programit Botëror të Ushqimit" (WFP) apo FAO-n po japin alarmin "për një cunam të heshtur ushqimor" me pasoja drastike, të paktën për mbi 900 milionë njerëz që jetojnë në nivelin e varfërisë absolute. Ekonomistë të shquar si Amarta Sen, Stiglitz, etj., duke analizuar situatën ushqimore botërore shprehen se "në mjaft vende të botës, kjo krizë do të zhdukë të gjitha përmirësimet dhe sukseset e bëra gjatë dhjetë viteve të fundit në fushën e uljes së varfërisë...se viti 2008 mund të jetë viti i një sfide të vërtetë ndaj efekteve të globalizimit".

Çfarë ndodhi që "krejt papritur" tregjet ndërkombëtare agro-ushqimore, prodhuesit fermerë të vegjël apo shumëkombëshe gjigante, konsumatorët e së gjithë botës u gjendën përballë kësaj situate alarmante? Përgjigja më standarde e artikuluar tashmë kudo në debatet dhe analizat ndërkombëtare i atribuohet tre faktorëve substancialë: futjes në tregjet ndërkombëtare të mbi 600 milionë konsumatorëve të rinj, kryesisht nga vendet në zhvillim apo Kina dhe India; përdorimit masiv të shumë produkteve ushqimore për prodhimin e bio-karburanteve, kryesisht nga SHBA-ja, Brazili dhe BE-ja (në 2007 SHBA-ja tërhoqi nga tregu ushqimor botëror për nevoja energjetike mbi 138 milionë tonë misër... ndërkohë që BE-ja mendon ta katërfishojë prodhimin e bio-karburanteve deri në vitin 2020, duke synuar mbulimin e 10% të nevojave të saj energjetike); dhe së fundi, efekteve negative të fenomenit të ngrohjes globale mbi rendimentet dhe kostot e shumë prej produkteve ushqimore bazë.

Por përtej kësaj analize, argumenteve e përgjigjeve të saj që janë të pakontestueshme, mjaft ekspertë e kërkues të fushës po thellohen akoma më tej në gjetjen e shkaqeve më strukturore e afatgjata të kësaj gjendjeje. Duke e studiuar fenomenin e kërkesës dhe ofertës në tregjet ushqimore për një periudhë 30-50-vjeçare ata kanë arritur në konkluzionin se "kriza e sotme e çmimeve ka edhe një element tjetër strukturor... revanshin apo "hakmarrjen" e bujqësisë për vëmendjen e munguar ndaj saj këta dhjetëvjeçarët e fundit". Argumentet e tyre tashmë po bindin gjithnjë e më shumë ekspertë e institucione, se rrënjët e problemit aktual dhe ç‘është më e rëndësishmja, zgjidhja e qëndrueshme e tij, duhen parë përtej tri arsyeve "konjukturore" aktuale.

Në 40-50 vitet e fundit, sipas F.Lemaitre, "bujqësia dhe fermerët që për dhjetëra dekada të tëra kanë qenë objekt i vëmendjes maksimale, u marzhinalizuan nën vezullimin e qyteteve dhe jetës urbane". Vetë nocioni "fshatar" apo "fermer" u bë shumë diferencues edhe në jetën sociale dhe hierarkinë e vlerave individuale. Edhe mbështetja ndaj sektorit bujqësor në rang botëror u reduktua ndjeshëm. Megjithëse 75% e të varfërve të planetit (2.3 miliardë njerëz) banonin dhe e garantonin ushqimin e tyre si fshatarë apo fermerë, në shkallë botërore vetëm 4% e investimeve publike dhe afërsisht po 4% e ndihmave për zhvillim janë investuar e kanë shkuar për bujqësinë. Sipas analizave të këtyre ekspertëve, janë dy faktorë ata që mund të shpjegojnë këtë padrejtësi evidente në shpërndarjen e investimeve publike. Ndryshe nga komunitetet urbane e industriale, popullsitë rurale, dominuese në numër dhe problematikë në vendet e varfra dhe në zhvillim, shumë rrallë arrijnë të krijojnë grupe të vërteta presioni të reflektuara në ekuilibrat politikë kombëtarë e ndërkombëtarë. Ndërkohë, në mënyrë paradoksale, janë fermerët e vendeve të zhvilluara, që megjithëse përfaqësojnë vetëm disa për qind të popullsisë në total, arrijnë të marrin sasi kolosale mbështetjeje financiare e politike. Sipas logjikës së shumë institucioneve ndërkombëtare "përderisa vetëm 4% e popullsisë së vendeve të zhvilluara që punon në bujqësi, arrin të garantojë ushqime për mbi 90% e popullsisë botërore....atëherë nuk ka nevojë që bujqit apo fshatarët e vendeve të tjera të ndihmohen financiarisht apo të mbështeten intensivisht nga politikat nacionale apo ato ndërkombëtare".

Shumë autorë evidentojnë faktin se një nga arsyet e kësaj gjendjeje është dhe filozofia e deritashme e mjaft institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore, Organizatës Botërore e Tregtisë, FMN-ja etj., të cilat në emër të liberalizmit total i kanë imponuar vendeve të varfra e në zhvillim "reduktimin e çdo ndihme financiare direkte apo subvencionesh në drejtim të sektorit bujqësor dhe hapjen totale të tregjeve ndaj eksporteve të subvencionuara e mbështetura fuqishëm të vendeve të zhvilluara". Pasojat aktuale të kësaj politike: varësi shumë e lartë e mjaft vendeve nga tregjet ndërkombëtare, rendimente mediokre dhe mungesë e theksuar e investimeve publike në bujqësi në këto vende, miliona fshatarë apo fermerë të paformuar profesionalisht e të paorganizuar, miliona ferma të pamekanizuara, tregje lokale krejtësisht të pastrukturuar, etj.

Sipas S.Panitchpakdi, President i Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin, "shuma tepër të mëdha financiare janë dhënë këta 10-vjeçarët e fundit për projektet e qeverisjes së mirë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim, ndërkohë që bujqësia ka qenë e neglizhuar, duke i transformuar shumë vende nga eksportues ushqimesh në importues neto të tyre". Në këto kushte, ky grup vendesh do të ketë nevojë edhe për shumë vite të tjera për të arritur që të zhvillojë bujqësinë dhe agro-industrinë, ndërkohë që duhet të përballohen me të gjitha efektet sociale të vështirësive të popullsive të tyre të varfra që të garantojnë ushqimin në kuadrin e rritjes drastike të çmimeve. Edhe Pascal Lamy, drejtor i Përgjithshëm i OBT-së i bën thirrje Bankës Botërore dhe FMN-së që "ta kthejnë vëmendjen e tyre drejt bujqësisë... sepse zhvillimi i saj intensiv në pjesën dërrmuese të vendeve të botës është zgjidhja e vetme për përballimin e krizës dhe rifitimin e ekuilibrit ndërmjet kërkesës dhe ofertës në nivel global", ndërkohë që J.Attali konkludon se "filozofia e deritashme e këtyre institucioneve ka lënë gjysmën e botës të paaftë që të prodhojë ushqime për nevojat e saj".

Efekt i këtij mentaliteti konsiderohet dhe fakti se ndërkohë që FMN-ja dhe Banka Botërore i kanë selitë në Uashington, drejtuesit e tyre janë figura me reputacion botëror dhe i nënshtrohen një aprovimi ndërkombëtar shumë të gjerë, FAO-ja që është e vetmja organizatë botërore e këtij niveli për bujqësinë dhe ushqimin ndodhet larg qendrave të mëdha të vendimmarrjes botërore dhe drejtuesit e saj kanë më tepër vlera simbolike se sa fuqi reale në skenën vendimmarrëse botërore.

Nga ana tjetër, edhe vetë vendet e zhvilluara po detyrohen të reflektojnë përballë disa zgjedhjeve e vendimeve që tashmë gjykohet se ju ka kaluar koha. Vetëm në vendet e BE-së, gjatë 15 viteve të fundit, mbi 10% e tokës bujqësore ose rreth 3.5 milionë ha është lënë djerrë në emër të mostejkalimit të kuotave apo superprodhimit. Ndërkohë, si pasojë e urbanizimit dhe industrializimit të shpejtë, në shkallë botërore humbet çdo vit në mënyrë të pakthyeshme 3% e tokës bujqësore. Dhe e gjitha kjo, kur sipas parashikimeve, në vitin 2050 popullsia e planetit pritet të arrijë në 9 miliardë banorë. Dhe 42 vjet nuk janë shumë larg për të mos e marrë në konsideratë seriozisht rolin e bujqësisë dhe agro-industrisë në përballimin e kësaj situate. Përpara bio-teknologjive dhe prodhimeve gjenetikisht të modifikueshme që natyrisht janë një nga "kamerdaret e shpëtimit" të planetit, fshatarët dhe fermerët e të gjitha vendeve kanë para së gjithash nevojë për rritjen drastike të investimeve publike e private drejt tyre, për sisteme ujitëse eficente, infrastrukturë adekuate në shërbim të sektorit, mekanizim e transport të zhvilluar, kompetenca e njohuri të avancuara, tregje të organizuara, politika nacionale e internacionale në favor të tyre, etj. Kriza e sotme e çmimeve tregoi se rikthimi i vëmendjes ndaj bujqësisë dhe ndryshimi i mentalitetit ndërkombëtar ndaj këtij sektori përbën çelësin e përballimit afatshkurtër e afatgjatë të situatës.

Ajo që po ndryshon me shpejtësi është dhe vetë teoria "mbi rolin e bujqësisë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin". Për më se 40 vjet, teoria ekonomike dominuese theksonte se "zvogëlimi i peshës së bujqësisë në strukturën e PBB-së dhe rritja e shërbimeve apo industrisë" ishte shenjë e dukshme e zhvillimit dhe modernizimit të një vendi. Por aktualisht, përballë situatës së krizës dhe në kërkim të zgjidhjeve për të ardhmen, ky koncept po rindërtohet. Sipas A.Janvry, profesor në Universitetin e Berkeley (SHBA), "bujqësia duhet konsideruar një sektor çelës për zhvillimin". Në vende si Kina, India, Vietnami, Indonezia, Spanja, Franca, Zelanda e Re, Kanadaja, Danimarka, Polonia, Kili, Australia, Argjentina etj., ka qenë pikërisht zhvillimi i bujqësisë ai që i nxori me miliona njerëz nga situata e varfërisë (absolute apo relative) dhe i krijoji mundësi ekonomive të tyre të zhvilloheshin me shpejtësi. Përveç kësaj, po sipas Janvry, "krijimi dhe zhvillimi i industrive agro-ushqimore konsiderohet si etapa e parë e domosdoshme drejt ekonomive të superindustrializuara". Edhe n.q.s. pjesa e bujqësisë në një ekonomi nacionale vjen duke u zvogëluar, duhet të jetë pjesa e agro-industrisë ajo që rritet. Kjo konsiderohet dhe si formula që do të certifikojë rolin e bujqësisë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë në kuadër të synimeve të përballimit të qëndrueshëm të krizës aktuale.

Tashmë, në të gjitha dokumentet dhe platformat e zhvillimit po bëhet dominuese ideja se "rruga më e sigurt e vendeve të varfra dhe në zhvillim (pa përjashtuar këtu grupin e vendeve emergjente si Kina, Brazili, Rusia, India, Afrika e Jugut, etj.) për të reduktuar dhe eliminuar pasojat e krizës aktuale dhe për të qenë të qëndrueshëm në 20-30 vitet e ardhshme, është zhvillimi i shpejtë i bujqësisë dhe agro-industrisë. Si politika më të mira për realizimin e këtij objektivi prioritar evidentohen: mbështetja maksimale direkte dhe indirekte me politika ekonomike e fiskale favorizuese, orientimi sa më masiv i shpenzimeve publike drejt nevojave të këtij sektori, rritja e nivelit të cilësisë dhe kompetivitetit të produkteve nacionale, lobimi politik në nivel ndërkombëtar për eliminimin e subvencioneve dhe barrierave tarifore e jotarifore nga ana e vendeve të pasuara, adaptimin me shpejtësi të të gjitha teknikave e teknologjive të reja në sektorin bujqësor, shkollimin dhe formimin profesional të fermerëve, etj.

Këtij trendi të së ardhmes i bashkohen dhe vendet e zhvilluara të BE-së dhe më gjerë. Kështu, p.sh., ministri gjerman i Bujqësisë, Horst Seehofer, bën thirrje për një "rilindje të bujqësisë gjermane dhe rritje të produkteve bujqësore të saj jo vetëm në kuadrin e BE-së, por dhe në tregjet ndërkombëtare; ish-presidenti francez Shirak evidenton nevojën për "një revolucion të vërtetë në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit në fushën e zhvillimit të bujqësisë" etj.

Mbetet që gjithë kjo tendencë botërore të dëgjohet edhe në Shqipëri ku kriza e çmimeve është përditë prezente, dhe ku mbi të gjitha, bujqësia dhe agro-industria që prej 17 vjetësh vazhdojnë të jenë në vendet e fundit porsa i përket të konsideruarit realisht si prioritete të zhvillimit të vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›