OKB-ja pezullon ndihmat humanitare në Rripin e Gazës
Zyrtarë të OKB-së thanë se ky hap hidhej për shkak të bllokadës së karburanteve nga Izraeli. Zyrtarja e lartë e OKB-së, Angela Kane, i tha Këshillit të Sigurimit se ndihmat ushqimore do të pezulloheshin që prej ditës së enjte nëse Izraeli nuk lejonte furnizimin me karburant. "Nëse nuk lejohet furnizimi me karburant, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët do ta ndërpresë ndihmën ushqimore për 650 mijë refugjatët palestinezë si dhe grumbullimin e mbeturinave, shërbim nga i cili varen gjysmë milioni banorë të Gazës", tha ndihmëssekretarja e Përgjithshme e OKB-së, Angela Kane. Ajo tha se pesë njësi të tjera bashkiake në Rripin e Gazës do të mbeten pa kapacitete për trajtimin e ujërave të zeza, kryesisht për shkak të mungesës së karburantit. Përfaqësuesi i OXFAM-it, Mark Bailej, e përshkroi kështu situatën në Rripin e Gazës. "Termocentrali mund të mbyllet në fundjavë dhe t‘i lërë banorët këtu pa energji. Furnizimi i naftës për gjeneratorët është në nivel shumë të ulët. Shumica e spitaleve kanë rezerva karburanti për më pak se një javë, shumë ambulanca nuk kanë fare karburant. Po kështu edhe pompat që përdoren për pastrimin e kanaleve të ujërave të zeza, kanë mbetur pa karburant", tha përfaqësuesi i OXFAM-it, Mark Bailej. Shefi i agjencisë së ndihmave të OKB-së në Rripin e Gazës, Xhohn Ging, tha se Izraeli duhet të përmbushte detyrimet ligjore si fuqi pushtuese dhe ta furnizonte Gazën me karburant. Ai gjithashtu iu bëri thirrje militantëve palestinezë që t‘i ndalnin sulmet mbi Izrael. Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Mark Regev, bëri përgjegjës "Hamas"-in për situatën e krijuar në Rripin e Gazës. "Sot, ndërsa po flasim, në anën palestineze të kufirit janë një milionë litra karburant gati për t‘u transportuar. Situata është e tillë që regjimi i "Hamas"-it në Gazë qëllimisht e pengon furnizimin me karburant për qëllimet e veta politike, që janë shumë të vështira për t‘i kuptuar", tha zëdhënësi i qeverisë izraelite Mark Regev. Ndërkohë, ka vazhduar aktiviteti diplomatik për zgjidhjen e kësaj krize. Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, është pritur nga Presidenti Bush në Uashington, ndërsa një delegacion i "Hamas"-it u takua në Kajro me një ekip ndërmjetësish egjiptianë. Duke folur në Uashington, Mahmoud Abbas, tha se kishte ende ndarje të thella mes izraelitëve dhe palestinezëve në çështjet që po diskutohen. Ndërkohë, edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleca Rajs, do të niset për në rajon, në kërkim të një zgjidhjeje të situatës së krijuar.